Glenn Greenwald
2,152,744 views • 20:37

Ka një zhanër të tërë videosh YouTube kushtuar rasteve të cilat, jam i sigurt se kushdo në këtë sallë i ka provuar. Bëhet fjalë për rastet kur dikush, duke menduar që është vetëm, fillon e sillet paksa haptazi — të kënduar të tërbuar, kërcim tërë tundje, ndonjë veprim të butë seksual — për të zbuluar më pas që, në fakt, s’është vetëm, që dikush po e vëzhgon dhe përgjon, zbulim që e bën të ndalë në vend çka po bënte, i tmerruar. Në fytyrën e tij, ndjesia e turpit dhe poshtërimit është e prekshme. Është ndjesia e, “Kjo është diçka që dua ta bëj vetëm kur nuk më sheh njeri.” Ky është thelbi i punës mbi të cilën jam përqendruar tërësisht në 16 muajt e fundit, pyetja pse ka rëndësi privatësia, pyetje që ka lindur në kontekstin e një debati global, shkaktuar nga zbulimet e Edward Snowden-it sipas të cilave ShBA-të dhe partnerët e tij, fshehurazi krejt botës, e kanë shndërruar Internetin, dikur të mbajtur si një mjet të paparë çlirimi dhe demokratizimi, në një zonë të paparë survejimi masiv dhe pa dallim. Ka një ndjesi të rëndomtë që lind nga ky debat, madje edhe mes personave që s’ndihen rehat me survejimin në masë, sipas të cilës nuk ka rrezik të njëmendtë që vjen prej kësaj mësymjeje në shkallë të gjerë, ngaqë vetëm ata që merren me punë të mbrapshta kanë arsye për të dashur të fshihen dhe të merakosen për privatësinë e tyre. Ky botëkuptim bazohet heshtur në tezën se në botë ka dy lloje njerëzish, njerëz të mirë dhe të këqij. Të këqij janë ata që thurin sulme terroriste ose që kryejnë krime të dhunshme, ndaj ka arsye të duan të fshehin sa bëjnë, kanë arsye të merakosen për privatësinë e tyre. Përkundrazi, njerëzit e mirë janë ata që shkojnë në punë, kthehen në shtëpi, rritin kalamaj, shohin televizor. Internetin e përdorin jo për të thurur sulme me bomba por për të lexuar lajmet dhe shkëmbyer receta gatimesh apo për të planifikuar lojërat e kalamajve, dhe këta nuk bëjnë asgjë të dëmshme ndaj nuk kanë se ç’të fshehin, as arsye për të pasur frikë se mos i mbikëqyr qeveria. Njerëzit që shprehen kështu i kanë hyrë një valleje tejet të skajshme vetë-nënvlerësimi. Që faktikisht duhet kuptuar kështu, “Kam rënë dakord ta bëj veten një person kaq të padëmshëm dhe për të mos u pasur frikë, sa në fakt nuk trembem se mos qeveria e merr vesh se ç’po bëj.” Kjo mendësi, sipas meje, gjeti shprehjen e saj më të kulluar, në një intervistë të 2009-s me CEO-n e Google-it, Eric Schmidt, i cili, i pyetur mbi tërë ato rrugë me të cilat kompania e tij po shkakton mësymjen ndaj privatësisë së qindra milionë njerëzve anembanë botës, u shpreh: “Nëse bëni diçka që s’doni ta marrin vesh të tjerët, ndoshta më mirë s’duhet ta bënit fare.” Për këtë mendësi mund të thuhen plot gjëra, e para, njerëzit që thonë se, privatësia s’është kushedi e rëndësishme, nuk e besojnë këtë, dhe rruga se si ta dini që s’e besojnë me tërë mend është se, teksa me fjalë thonë se privatësia nuk ka rëndësi, me vepra bëjnë çmos të ruajnë privatësinë e tyre të paprekur . Email-in dhe llogaritë e mediave shoqërore i mbrojnë me fjalëkalime, dhomat e gjumit dhe banjat me brava dhe çelësa, hapa të konceptuar që të gjithë për t’u penguar të tjerëve hyrjen në çka e konsiderojnë si zonë private dhe të dinë ato çka këta nuk duan t’i marrin vesh të tjerët. Po i njëjti Eric Schmidt, CEO i Google-it, i urdhëroi të punësuarit në Google të ndalnin së komunikuari me revistën internet CNET, pasi CNET-i botoi një artikull plot të dhëna personale, private mbi Eric Schmidt-in, të cilat i patën vetëm përmes kërkimesh me Google dhe duke përdorur produkte të tjera Google. (Të qeshura) E njëjta mospërputhje mund të shihet edhe me CEO-n e Facebook-ut, Mark Zuckerberg, i cili në një intervistë famëkeqe të 2010-s njoftoi se privatësia nuk është më një “normë sociale”. Vjet, Mark Zuckerberg dhe e bashkëshortja e tij e re, blenë në Palo Alto jo vetëm shtëpinë e tyre, por që të katra shtëpitë ngjitur, me një vlerë prej 30 milionë dollarësh gjithsej, që të jenë të sigurt se gëzojnë një zonë privatësie që i pengon njerëzit të mbikëqyrin se ç’bëjnë ata në jetën e tyre private. Këto 16 muajt e fundit, teksa e kam diskutuar këtë temë nëpër botë, sa herë që dikush më thoshte, “Nuk merakosem për mësymjet ndaj privatësisë ngaqë nuk kam se ç’të fsheh.” U them gjithnjë të njëjtën gjë. Marr një laps, shkruaj adresën time të email-it. Dhe u them, “Ja adresa ime email. Dua që kur të shkoni në shtëpi dërgomëni me email fjalëkalimet e krejt llogarive tuaja email, jo të të mirit, të respektueshmit të punës, me emrin tuaj, por të krejt llogarive, dua thjesht të mundem të hedh një sy se ç’bëni në Internet, të lexoj ç’të kem qejf dhe të botoj ç’më duket me interes. Tek e fundit, nëse s’jeni njeri i keq, nëse nuk bëni gjëra të mbrapshta, s’keni se ç’të fshihni.” Ofertën time nuk e shfrytëzoi as edhe një i vetëm. E kontrolloj — (Duartrokitje) gjithë kohën atë llogari email, me devotshmëri prej fetari. Atë vend të shkretë. Kjo e ka një arsye, që është se ne, si qenie njerëzore, madje edhe ata prej nesh, që me fjalë e shfuqizojnë rëndësinë e privatësisë së secilit, e kuptojmë instinktivisht rëndësinë e thellë të saj. Është e vërtetë se ne, si qenie njerëzore, jemi kafshë shoqërore, që do të thotë se kemi nevojë që të tjerët të dinë se ç’bëjmë, ç’themi, ç’mendojmë, dhe kjo është arsyeja pse publikojmë me dashje në Internet të dhëna rreth vetes. Por, po njësoj thelbësore për të qenët qenie njerëzore e lirë dhe e plotësuar është të kemi një vend ku mund të shkojmë dhe të jemi të lirë nga sytë gjykues të njerëzve të tjerë. Ka një arsye pse kërkojmë ta arrijmë këtë. Dhe arsyeja jonë është se të gjithë ne — jo thjesht terroristët dhe keqbërësit, krejt ne — kemi gjëra për të fshehur. Bëjmë dhe mendojmë lloj-lloj gjërash që pranojmë t’ia tregojmë mjekut, avokatit, psikologut, apo bashkëshortes, apo shokut të ngushtë, por që do të na poshtëronte po t’i marrë vesh bota. Ne japim gjykime çdo ditë mbi gjërat që themi, mendojmë dhe bëjmë, të cilat jemi të gatshëm t’ua bëjmë të ditura të tjerëve, por dhe mbi gjëra që themi, mendojmë dhe bëjmë dhe që nuk duam t’i dijë tjetërkush. Njerëzit, me fjalë, mund të pretendojnë fare kollaj se nuk i japin vlerë privatësisë së tyre, por veprimet e tyre e mohojnë mirëfilltësinë e këtij besimi. Ka një arsye pse privatësia dëshirohet me kaq zjarr gjithkund dhe instinktivisht. Nuk është thjesht një veprim refleksiv si thithja e ajrit apo pirja e ujit. Arsyeja është se, kur gjendemi në rrethana prej ku mund të vëzhgohemi, prej ku mund të mbikëqyremi, sjellja jonë ndryshon në mënyrë dramatike. Gama e sjelljeve të mundshme që bluajmë me veten, kur mendojmë se po mbikëqyremi, zvogëlohet rreptësisht. Ky është thjesht fakt i natyrës njerëzore që është mirëpranuar nga shkenca shoqërore letërsia dhe feja dhe praktikisht nga çdo fushë e llojit. Ka me dhjetëra studime psikologjike që provojnë se kur dikush e di se mund të jetë duke u mbikëqyrur, sjellja që shfaq është shumë më konformiste dhe në pajtim me normat. Turpërimi është motivues shumë i fuqishëm, siç është edhe dëshira për ta shmangur, dhe kjo është arsyeja pse njerëzit, kur gjenden nën vëzhgim, marrin vendime që nuk janë fryt i vullnetit të tyre, por janë ajo çka presin të tjerët prej tyre, ose ato që dikton ortodoksia shoqërore. Kjo nuhatje, për qëllime pragmatike u shfrytëzua më fort nga filozofi i shekullit të 18-të, Jeremy Bentham, i cili iu vu zgjidhjes së një problemi të rëndësishëm të prurë nga epoka industriale, kur për herë të parë, institucionet u bënë kaq të mëdha dhe të centralizuara sa që s’qenë më në gjendje të mbikëqyrnin, ndaj edhe të kontrollonin, secilin prej anëtarëve të saj individualë, dhe zgjidhja që hartoi qe një koncept arkitekturor i menduar fillimisht për burgjet të cilin e pat quajtur panoptikon atributi parësor i të cilit ishte ngritja e një kulle të stërmadhe në qendër të institucionit, ku, cilido që kontrollonte institucionin, mundej në çfarëdo çasti të vëzhgonte këdo nga të dënuarit, edhe pse nuk i vëzhgonin dot të gjithë dhe tërë kohën. Thelbësore për këtë konceptim qe fakti që të dënuarit s’mund të shihnin dot në panoptikon, në kullë, ndaj s’kish nga ta dinin nëse vëzhgoheshin, ose kur. Ajo që e ngazëlleu më shumë te ky zbulim qe se kjo do të thoshte që të burgosurve do t’u duhej të supozonin se vëzhgoheshin në çfarëdo çasti, çka do të qe mjeti i përsosur shtrëngues për bindje dhe konformizëm. Filozofi frëng i shekullit të 20-të, Michel Foucault kuptoi që ky model mund të përdorej jo thjesht për burgjet, por për çdo institucion që përpiqet të kontrollojë sjelljen njerëzore: shkolla, spitale, fabrika, vende pune. Dhe, sipas tij, kjo mendësi, kjo strukturë e zbuluar nga Bentham, qe mjeti kyç i kontrollit mbi shoqërinë për shoqëritë moderne, perëndimore të cilat nuk kanë më nevojë për armët e tiranisë së hapët — ndëshkim, burgosje ose vrasje të disidentëve, apo besnikëri të detyruar ligjërisht ndaj një partie të dhënë — ngaqë survejimi në masë krijon brenda mendjes një burg që është shumë më i hollë por shumë më i efektshëm për farkëtimin e pajtueshmërisë me normat shoqërore apo me ortodoksinë sociale, shumë më i efektshëm se sa mund të jetë dhuna e pastër. Vepra letrare më përfaqësuese mbi survejimin dhe privatësinë është romani i George Orwell-it "1984", studiuar nga tërë ne në shkollë, ndaj edhe është bërë si një lloj klisheje. Në fakt, sa herë që e përmendni në ndonjë debat mbi survejimin, njerëzit ta hedhin poshtë menjëherë si diçka që nuk ka vend, duke të thënë, “Te "1984" në shtëpitë e miletit kishte monitorë, vëzhgoheshin në çdo çast, por kjo nuk hyn gjëkundi te gjendja e survejimit me të cilën përballemi.” Ka një keqkuptim themelor të alarmeve të dhëna nga Orwell-i tek "1984". Alarmi që ai dha, lidhej me shtetin e survejimit, jo se ky mbikëqyrte këdo gjithë kohën, por ngaqë njerëzit e dinin se mund mbikëqyreshin në çdo çast. Ja si e përshkruan sistemin e survejimit me të cilin përballeshin, rrëfimtari i Orwell-it, Winston Smith: “Sigurisht që s’kish mundësi të dihej nëse po vëzhgoheshit apo jo në një çast të dhënë.” Për të vazhduar më tej, “Sido që të ishte, fishën tuaj mund ta lidhnin kur të donin. Duhej të jetonit, në fakt jetonit, me zakonin që u bë instinkt, me hamendjen se çdo tingull i juaji kapej dhe analizohej nga dikush në errësirë, çdo lëvizje merrej në shqyrtim.” Në mënyrë të ngjashme, fetë abrahamike postulojnë se ka një autoritet të padukshëm, të gjithëditur i cili, ngaqë di gjithçka, mbikëqyr gjithë kohën çfarëdo që bëni, që do të thotë se nuk ju mbetet kurrë një çast privat, mjeti i përsosur shtrëngues për bindje ndaj diktatit të tij. Ato çka këto vepra, në dukje pa lidhje me njëra-tjetrën, lejojnë të shihet, përfundimi që del nga krejt ato, është se një shoqëri në të cilën njerëzit mund të mbikëqyren gjithë kohën është një shoqëri që pjell konformizëm bindje pa kushte dhe nënshtrim, prandaj çdo tiran, nga më i paskrupulli te më i stërholluari, kanë uri për atë sistem. Në të kundërt, madje më me rëndësi, aftësia për t’u tërhequr diku ku mund të mendojmë, arsyetojmë, ndërveprojmë dhe flasim pa pasur mbi kurriz sytë e botës, diku ku fryma krijuese, zhbiruese dhe mospajtimi kanë vatrën e tyre, hyn te sfera e privatësisë. Kur lejojmë ekzistencën e një shoqërie te e cila jemi subjekt mbikëqyrjeje konstante, lejojmë gjymtimin e rëndë të thelbit të lirisë njerëzore. Pika e fundit që dua të prek lidhur me këtë mendësi, idenë se vetëm personat që bëjnë diçka të mbrapshtë kanë se ç’të fshehin, pra edhe arsye për t’u kujdesur për privatësinë, është ngulitja prej saj e dy mesazheve shumë rrënuese, e dy mësimeve rrënuese. I pari është se të vetmit që merakosen për privatësinë, të vetmit që kërkojnë privatësi, janë, me përkufizim, të ligjtë. Ky është një përfundim për të cilin i kemi të gjitha arsyet pse duhet shmangur, më e rëndësishmja prej tyre është se kur thoni, “dikush po bën diçka të mbrapshtë”, ka gjasa që e keni fjalën për gjëra të tilla si plani për një sulm terrorist apo pjesëmarrja në krime të dhunshme, një kuptim shumë i ngushtë i asaj që njerëzit që kanë pushtetin nënkuptojnë kur thonë, “po bën gjëra të mbrapshta”. Për ta, “të bësh gjëra të mbrapshta” zakonisht nënkupton të bërit e diçkaje që paraqet sfida kuptimplote ndaj ushtrimit të pushtetit që u japim. Mësimi tjetër vërtet rrënues dhe, mendoj, edhe më tinëzar, që vjen prej pranimit të kësaj mendësie, është se ka një përfitim të pashprehur, të pranuar nga njerëzit që pranojnë këtë mendësi, dhe ky përfitim është: Nëse pranoni ta bëni vetveten mjaftueshëm të parrezik, mjaftueshëm jo kërcënues për ata që kanë pushtet politik, atëherë dhe vetëm atëherë mund të jeni të lirë nga rreziqet e survejimit. Vetëm ata që janë mospajtues, që sfidojnë pushtetet, paskan pse të shqetësohen. I kemi të gjitha arsyet pse duhet t’i shmangim këto mësime. Mund të jeni një person që, tani për tani, nuk dëshiron të merret me diçka me spec, por mund të dojë në të ardhmen. Edhe nëse jeni dikush që vendos vetë se rasti s’do të vijë kurrë, fakti që ka të tjerë persona që duan dhe janë në gjendje të bëjnë qëndresë dhe të jenë kundërshtarë të atyre në pushtet — disidentë, gazetarë veprimtarë, dhe një gamë e tërë rastesh të tjera — është diçka që na sjell krejt neve një të mirë kolektive që do të ishte mirë ta ruanim. Po njësoj jetik është fakti që kuti se sa e lirë është një shoqëri, s’është mënyra si i trajton ajo shtetasit e mirë, të bindurit, ata në rregull me normat, por se si trajton mospajtuesit dhe ata që i bëjnë qëndresë ortodoksisë sociale. Por arsyeja më e rëndësishme është se një sistem i survejimit masiv shtyp lirinë tonë në të gjitha drejtimet. Na i bën të ndaluara krejt zgjedhjet mbi mundësitë e sjelljeve pa e ditur ne hiç se ka ndodhur. Veprimtarja e njohur socialiste, Rosa Luxemburg dikur tha, “Ai që nuk luan vendit nuk i vë re vargonjtë e tij.” Mund të orvatemi për t’i bërë të padukshëm ose të pakapshëm vargonjtë e survejimit në masë, por kufizimet që imponojnë mbi ne nuk bëhen më pak të fuqishme. Shumë faleminderit. (Duartrokitje) Faleminderit. (Duartrokitje) Faleminderit. (Duartrokitje) Bruno Giussani: Faleminderit, Glen. Më duhet të them që shtjellimi është jo pak bindës, por dua që t’u kthehemi 16 muajve të fundit dhe Edward Snowden-it për pak pyetje, nëse s’prish punë. E para është personale për ju. Të gjithë kemi lexuar për arrestimin e partnerit tuaj, David Miranda, në Londër, dhe vështirësi të tjera, por them se lidhur me angazhimin dhe rreziqet personale, atë trysni mbi ju, s’është edhe aq e lehtë të merresh me organizmat më të mëdhenj sovranë të botës. Na tregoni pak mbi këtë anë. Glenn Greenwald: Mendoj se një nga gjërat që ndodh është se kuraja e njerëzve në këtë drejtim bëhet ngjitëse, ndaj, edhe pse unë dhe gazetarë të tjerë me të cilët punoja ishim të ndërgjegjshëm për rrezikun — ShBA-të vazhdojnë të jenë vendi më i fuqishëm në botë dhe nuk gëzohen kur ju botoni në Internet, sipas qejfit, mijëra të fshehta të tyre — kur sheh dikë që është 29 vjeç njeri i rëndomtë që u rrit në në një mjedis më se të rëndomtë, të shfaqë atë shkallë kuraje të parimtë, siç rrezikoi Edward Snowden-i, duke e ditur se e priste burgu për gjithë jetën nga këtej e tutje ose jeta e tij do të shkërmoqej, më frymëzoi mua dhe gazetarë të tjerë dhe frymëzoi, mendoj, njerëz kudo në botë, përfshi sekretnxjerrës të ardhshëm, të kuptojnë se mund t’i hyjnë edhe ata kësaj valleje. BG: Jam kureshtar të di mbi marrëdhëniet tuaja me Ed Snowden-in, ngaqë ju keni folur mjaft me të, dhe sigurisht që vazhdoni ende, por në librin tuaj, s’e thërrisni kurrë Eduard, as Ed; ju thoni "Snowden". Pse? GG: Jam i sigurt se kjo është diçka që duhet parë nga ndonjë ekip psikologësh (Të qeshura) Vërtet nuk e di. Arsyeja, mendoj, është se një nga objektivat e rëndësishëm që ai pati, një nga taktikat e tij më të rëndësishme, mendoj, qe që e dinte se një nga rrugët për të shmangur vëmendjen nga thelbi i zbulimeve do të ish orvatja për personalizim të vëmendjes mbi të, dhe për këtë arsye ai ndenji jashtë medias. U përpoq që jeta e tij personale të mos qe kurrë subjekt ekzaminimi, ndaj mendoj që ta thërrasësh Snowden është një rrugë për identifikimin e tij si një aktor të rëndësishëm historik në vend se të orvatesh ta personalizosh në një mënyrë që mund të shmangë vëmendjen prej thelbit. Moderatori: Zbulimet e tij, analiza juaj, puna e gazetarëve të tjerë, i dha vërtet jetë debatit, dhe mjaft qeveri, bie fjala, kanë reaguar, përfshi Brazilin, me projekte dhe programe për ta ripunuar paksa formën e Internetit, etj. Ka plot gjëra që po bëhen në atë drejtim. Pyes veten, për ju personalisht, cila është mbyllja e gjithë kësaj? Në ç’pikë do të mendoni se, më në fund ia dolëm ta rregullojmë me sukses? GG: Për mua si gazetar, mbyllja është shumë e thjeshtë, të sigurohemi se çdo dokument që ia vlen dhe që duhet të publikohet të përfundojë i publikuar, dhe të fshehtat që nuk duhej të ishin ruajtur fare të fshehta, të dalin sheshit. Për mua, ky është thelbi i gazetarisë dhe këtij i jam përkushtuar. Si dikush të cilit survejimi në masë i duket i urryer, për krejt arsyet që sapo preka dhe mjaft të tjera, këtë punë e shoh si një që nuk mbaron kurrë, deri sa qeveri anembanë botës të mos jenë më në gjendje t’ia nënshtrojnë popullsi të tëra mbikëqyrjes dhe survejimit, veç kur bindin një gjykatë apo ent tjetër se personi që kanë në shënjestër ka bërë vërtet diçka të mbrapshtë. Për mua, kjo është rruga me të cilën mund të ripërtërihet privatësia. BG: Snowden-i siç e kemi parë në TED, është shumë, shumë elokuent në paraqitjen dhe portretizimin e vetes si mbrojtës i vlerave dhe parimeve demokratike. Por shumë njerëz e kanë vërtet të vështirë të besojnë se ky është motivacioni i tij i vetëm. E kanë të vështirë të besojnë se paraja nuk hyn gjëkundi, se nuk ka shitur ndonjë të fshehtë, te Kina apo Rusia, që dihet se nuk janë miqtë më të mirë të Shteteve të Bashkuara sot për sot. Dhe jam i sigurt se shumë vetë në këtë sallë bëjnë të njëjtën pyetje. Mendoni se mundet të ketë edhe një anë të tillë të Snowden-it që s’e kemi parë ende? GG: Jo, mua kjo më duket absurde dhe idiote. (Të qeshura) Nëse do të donit, e di që thjesht po bëni avokatin e djallit, por nëse do të donit t’i shisni të fshehta një vendi tjetër, çka mund ta kish bërë, dhe të gdhihej tejet i pasur nga kjo, gjëja e fundit që do të bënit është t’ua jepnit këto të fshehta gazetarëve dhe t’u kërkonit t’i botojnë, pasi kjo i bën të pavlera të fshehtat. Njerëzit që duan të pasurojnë veten e bëjnë këtë fshehtas, duke ia shitur të fshehtat qeverisë, por mendoj se ka një gjë të rëndësishme për të thënë, faktin se këto akuza vijnë nga persona në qeverinë e ShBA-ve, nga persona në media që janë besnikë qeverish të ndryshme, dhe mendoj se, shpesh, kur dikush bën akuza si kjo kundër të tjerëve — “Oh, vërtet, s’mund ta bëjë dot nisur nga parimet, do ketë ndonjë arsye të korruptuari, të poshtër” — tregon më shumë mbi vetveten, se sa mbi objektivin e akuzave të tyre, ngaqë — (Duartrokitje) — këta njerëz, këta që bëjnë akuza të tilla, këta vetë nuk veprojnë kurrë për tjetër motiv veç motivesh të korruptuarish, ndaj besojnë se këdo tjetër e ka pllakosur po ajo sëmundje e pashpirtësisë, si ata vetë, dhe ky është thelbi i gjithë kësaj. (Duartrokitje) BG: Glen, shumë faleminderit. GG: Faleminderit juve. BG: Glenn Greenwald. (Duartrokitje)