Para saktësisht dhjetë vitesh, isha në Afganistan. Po raportoja luftën në Afganistan, dhe u bëra dëshmitar, si reporter i Al Xhazira-s, i vuajtjes dhe shkatërrimit që doli nga një luftë e tillë. Më pas, pas dy vitesh, raportova për një tjetër luftë - luftën në Irak. Më patën vendosur në qendër të luftës ngaqë po raportoja luftën nga pjesa veriore e Irakut. Dhe lufta përfundoi me ndryshimin e regjimit, sikurse ajo në Afganistan. Dhe ai regjim të cilin e hoqëm qafe ishte në fakt diktatorial, regjim autoritar, që për dekada me radhë krijoi një ndjenjë paralize të madhe përbrenda kombit, përbrenda vetë njerëzve. Sido që të jetë, ndryshimi që ndodhi përmes ndërhyrjes nga jashtë krijoi rrethana edhe më të këqija për njerëzit dhe thelloi ndjesinë e paralizës dhe prapambetjes në atë pjesë të botës.
Për dekada, ne kemi jetuar nën regjime autoritare -- në botën Arabe, në Lindjen e Mesme. Ato regjime krijuan diçka brenda nesh gjatë kësaj periudhe. Unë jam 43 vjeçar tani. Për 40 vitet e fundit, kam parë pothuajse të njëjtat fytyra të mbretërve dhe presidentëve që na kanë sunduar -- të vjetër, të moshuar, autoritar, situata te korruptuara -- regjime që ne kemi parë rreth nesh. Dhe për një moment po pyesja, a do të jetojmë aq sa të shohim ndryshimin e vërtetë tek ndodh ndryshim që nuk vjen përmes ndërhyrjes nga jashtë, përmes mjerimit të sundimit, nga shtetet që pushtojnë tokat tona dhe nganjëherë thellojnë ndjenjën e inferioritetit? Irakianët: Po, ata hoqën qafe Sadam Hyseinin, por kur ata shikuan tokat e tyre të okupuara nga forcat e jashtme ata u ndjenë shumë të mërzitur, ata ndjenë që u vuante dinjiteti. Dhe kjo është arsyeja se përse u hodhën në kryengritje. Kjo është arsyeja se përse ata nuk pranuan. Dhe në fakt, regjimet e tjera u thanë qytetarëve të tyre, "A doni të shihni situatën të bëhet sikurse ajo në Irak? A dëshironi të shihni luftë civile, vrasje në baza sektare? A dëshironi të shihni shkatërrim? A dëshironi të shihni trupa të ushtrive të huaja në tokat tuaja?" Dhe njerëzit menduan me vete, "Mbase duhet të jetojmë me këtë situatë autoritare në të cilën gjendemi, në vend që të kemi atë planin tjetër." Ajo ishte një ndër ankthet më të këqija që kemi parë.
Për 10 vite, fatkeqësisht kemi qenë duke raportuar imazhe të shkatërrimit, imazhe të vrasjeve, të konflikteve në baza sektare, imazhe të dhunës, te dilnin nga një copë toke e mrekullueshme një rajon që një herë e një kohë ishte burimi i civilizimeve, kulturës dhe artit për mijëra vjet. Tani jam këtu t'iu tregoj që ajo e ardhme për të cilën ne po ëndërrojmë ka arritur herët a vonë. Një gjeneratë e re, e shkolluar mirë, e lidhur, e frymëzuar nga vlerat universale dhe nga mirëkuptimi global, ka krijuar një realitet të ri për ne. Ne kemi gjetur një mënyrë të re për të shprehur ndjenjat tona dhe për të shprehur ëndërrat tona. Këta të rinj të cilët e kanë rivendosur vetëbesimin në kombin tonë në atë pjesë të botës, të cilët na kanë dhënë një kuptim të ri për lirinë dhe na kanë fuqizuar për të dalur në rrugë. Asgjë nuk ndodhi. S'pati dhunë. Asgjë. Veç dil jashtë shtëpisë, ngrij zërin dhe thuaj: "Ne do të dëshironim të shihnim fundin e këtij regjimi."
Kjo është ajo që ndodhi në Tunizi. Për disa ditë, regjimi Tunizian që kishte investuar miliarda dollarë në agjensitë e sigurimit, miliarda dollarë në mbajtjen, në përpjekjen për të mbajtur, burgjet e saj, u shemb, u zhduk, për shkak të zërave të publikut. Njerëzit që ishin të inspiruar për të dalur në rrugë dhe për të ngritur zërin, ata provuan t'i vrasin. Agjensitë e inteligjencës dëshiruan të vrisnin njerëz. Ata gjetën diçka të quajtur Facebook. Ata gjetën diçka të quajtur Twitter. Ata ishin të befasuar nga gjithë këto gjëra. Dhe thanë, "Këta fëmijë janë mashtruar." Ndaj, ata iu kthyen prindërve të tyre dhe kërkuan që ata të dilnin në rrugë dhe t'i merrnin, t'i sillnin në shtëpi. Kjo është ajo që ata thonin. Kjo ishte propaganda e tyre. "Sillni këta fëmijë në shtëpi, sepse ata janë mashtruar." Por po, këta të rinj të cilët janë frymëzuar nga vlerat universale, të cilët janë aq idealiste për të imagjinuar një të ardhme të mrekullueshme dhe, në të njëjtën kohë, janë aq realiste sa për të barazpeshuar këtë lloj imagjinate dhe procesin që të drejton aty - jo duke përdorur dhunë, jo duke tentuar të krijojne rrëmujë. Këta të rinj, nuk u kthyen në shtëpi. Prindërit në fakt dolën në rrugë dhe i mbështetën ata. Dhe kjo është se si lindi revolucioni në Tunizi.
Ne në Al Xhazira nuk ishim të lejuar në Tunizi për vite me radhë, qeveria nuk lejonte ndonjë reporter të Al Xhazira-s të ishte atje. Por ne zbuluam që këta njerëz në rrugë, janë të gjithë reporterët tanë, duke ushqyer dhomën tonë të lajmeve me fotografi, me incizime dhe me lajme. Papritur ajo dhomë lajmesh në Doha u bë qendër që pranonte të gjitha këto të dhëna nga njerëz të zakonshëm -- njerëz që janë të lidhur dhe njerëz që kanë ambicje dhe njerëz që kanë liruar vetën nga ndjenja e inferioritetit. Dhe më pas ne morëm vendim: Ne do të jepnim lajmet. Ne do të jemi zëri i atyre njerëzve pa zë. Ne do të përhapim njoftimin. Po, disa nga këta të rinj janë të lidhur me internet, por lidhja me internet në botën Arabe është shumë e paktë dhe e vogël për arsye të shumë problemeve nga të cilat vuajmë. Por Al Xhazira mori zërin nga këta njerëz dhe e përforcoi atë. Ne e vendosëm në çdo dhomë dite në botën Arabe -- si dhe në nivelin ndërkombëtar, global, përmes kanaleve televizive në gjuhën angleze.
Dhe pastaj njerëzit filluan të ndjenin që diçka e re po ngjante. dhe më pas Zine al-Abidine Ben Ali vendosi të largohej. Dhe më pas filloi Egjipti, dhe Hosni Mubarak vendosi të largohej. Dhe tani Libia sikurse mund të shihni. Pastaj është Jemeni. Dhe ka shumë shtete të tjera që po provojnë të shohin dhe të rizbulojnë atë ndjenjë të, "Si të imagjinojmë një të ardhme që është e madhërishme, paqësore dhe tolerante?" Dua të iu tregoj diçka, që interneti dhe lidhja ka krijuar një mentalitet të ri. Por ky mentalitet ka vazhduar t'i qëndrojë besnik dheut dhe tokës nga e cila doli. Dhe ndonëse ky ishte dallimi i madh në mes të shume nismave të mëparshme për të krijuar ndryshim, më parë ne mendonim, dhe qeveria na thoshte -- dhe nganjëherë ishte e vërtetë -- që ndryshimi na ishte imponuar, kështu që njerëzit e refuzonin atë, sepse ata mendonin që ishte e jashtme në krahasim me kulturën e tyre, gjithmonë, ne besuam që ndryshimi do të buronte nga brenda, që ndryshimi duhet të ishte një pajtim me kulturën, dallimet kulturore, me besimin në traditën tonë dhe në historinë tonë, por në të njejtën kohë, i hapur ndaj vlerave universale, i lidhur me botën, tolerant ndaj të jashtmes. Dhe ky është momenti që po ngjan tani në botën Arabe. Ky është momenti i duhur, ky është në fakt momenti kur ne shohim të gjitha këto kuptime tek takohen bashkë dhe më pas krijojnë fillimin e kësaj epoke madhështore që do të dal nga ai regjion.
Si u mor Elita me këtë -- e ashtu-quajtura Elita politike? Përballë Facebook-ut, ata sollën devet në sheshin Tahrir. Përballë Al Xhaziras, ata filluan të krijonin tribalizëm. Dhe më pas, kur ata dështuan, filluan të flisnin për komplote që dilnin nga Tel Aviv për të ndarë botën Arabe. Ata filluan t'i tregonin Perëndimit, "Keni kujdes nga Al-Kaida. Al-Kaida po merr territoret tona. Këta janë Islamikë që po përpiqen për të krijuar "Imara" të reja. Keni kujdes nga këta njerëz të cilët po vijnë te ju në mënyrë që të shkatërrojnë civilizimin tuaj të madh." Për fat të mirë, njerëzit tanimë nuk mund të mashtrohen. Sepse kjo elitë e korruptuar në atë regjion ka humbur edhe fuqinë e të mashtruarit. Ata nuk mundeshin, dhe nuk mund, të imagjinojnë se si në fakt të merreshin me këtë realitet. Ata kanë humbur -- ata janë ndarë nga njerëzit e tyre, nga masat, dhe tani ne po i shohim se si ata po bien njëri pas tjetrit.
Al Xhazira nuk është një mjet i revolucionit. Ne nuk krijojmë revolucione. Sido me qenë, kur ngjet diçka e atyre përmasave, ne jemi në qendër të raportimit. Neve na ishte ndaluar hyrja në Egjipt, dhe disa nga korrespondentët tanë, u arrestuan. Por shumica e njerëzve tanë me kamera si dhe gazetarët tanë, ata qëndruan në Egjipt tinëzisht - në mënyrë vullnetare - për të raportuar atë që po ngjante në Sheshin Tahrir. Për 18 ditë, kamerat tona po transmetonin drejtëpërdrejt zërat e njerëzve në Sheshin Tahrir. Mbaj mend një natë kur dikush më thirri në telefon celular -- një person i zakonshëm të cilin nuk e njoh - nga Sheshi Tahrir. Ai më tha: "Ne të bëjmë thirrje të mos i ndaloni kamerat. Nëse i ndaloni kamerat sonte, do të ketë gjenocid. Ju po na mbroni duke treguar se çfarë po ndodh në Sheshin Tahrir". Unë ndjeva përgjegjësinë të telefonoja korrespondentët tanë atje dhe të telefonoja dhomën tonë të lajmeve dhe t'u thoja atyre, "Bëni çdo gjë që mundeni për të mos ndalur kamerat gjatë natës, sepse njerëzit atje ndihen të sigurtë kur dikush raporton historinë e tyre -- dhe ndihen të mbrojtur po ashtu".
Kështu që kemi një mundësi për të ndërtuar një të ardhme të re në atë anë të botës. Kemi një mundësi të shkojmë dhe të mendojmë për të ardhmen si diçka që është e hapur për botën. Le të mos e përsërisim gabimin e Iranit, e revolucionit Misdaq, le të çlirojmë veten -- veçanërisht këtu në Perëndim -- nga të menduarit për atë pjesë të botës bazuar në interesat e naftës, ose bazuar në interesat e iluzionit të qëndrueshmërisë dhe sigurisë. Qëndrueshmëria dhe siguria e regjimeve autoritare nuk mund të krijojë gjë tjetër pos terrorizëm, dhunë dhe shkatërrim. Le të pranojmë zgjedhjen e njerëzve. Le të mos marrim dhe zgjedhim kënd ne do të dëshironim të udhëhiqte të ardhmen e tyre. E ardhmja duhet të udhëhiqet nga vetë njerëzit, edhe nëse nganjëherë ka zëra që mund të na frikësojnë tani. Por vlerat e demokracisë dhe të lirisë së zgjedhjes që kanë përfshirë Lindjen e Mesme në këtë moment është mundësia më e mirë për botën, për Perëndimin dhe Lindjen, për të parë qëndrueshmëri dhe siguri dhe për të parë miqësi dhe tolerancë që po del nga bota Arabe, në vend të imazheve të dhunës dhe terrorizimit. Le të mbështesim këta njerëz. Le të qëndrojmë për ta. Dhe le të lëshojmë dorë nga egoizimi ynë i ngushtë në mënyrë që të përqafojmë ndryshimin, dhe në mënyrë që të festojmë bashkë me njerëzit e atij regjioni një të ardhme të ndritur dhe shpresë dhe tolerancë. E ardhmja ka arritur, dhe e ardhmja është tani. Ju falenderoj shumë.
Chris Anderson: Kam disa pyetje për ju. Ju faleminderit që erdhët këtu. Si do të karakterizonit domethënien historike të asaj që ngjau? A është kjo historia e vitit, historia e dekadës, apo diçka më shumë?
Wadah Khanfar: Në fakt kjo mund të jetë historia më e madhe të cilën e kemi raportuar ndonjëherë. Kemi raportuar për shumë luftëra. Kemi raportuar për shumë tragjedi, për shumë probleme, shumë zona konflikti, shumë qendra të nxehta në regjion, sepse kemi qenë në mesin e tyre. Por kjo është një histori - histori e madhe; e bukur. nuk është një gjë për të cilën vetëm raporton ngase të duhet të raportosh ndodhitë e mëdha. Ne jemi dëshmitarë të ndryshimit të historisë. Ne jemi dëshmitarë të lindjes së një epoke të re. Dhe kjo është ajo me të cilën lidhet kjo histori.
Chris Anderson: Ka shumë njerëz në Perëndim të cilët ende janë skeptikë, ose mendojnë që kjo mund të jetë vetëm një fazë afatmesme para një kaosi edhe më alarmant. Ju me të vërtetë besoni që nëse ka zgjedhje demokratike në Egjipt tani, që një qeveri mund të shfaqet që mbështet disa nga vlerat për të cilat ju folët në mënyrë aq frymëzuese?
Wadah Khanfar: Dhe njerëzit në fakt, pas përmbysjes së regjimit të Hosni Mubarak-ut, të rinjtë të cilët patën organizuar veten në disa grupe dhe këshille, ata po mbrojnë shndërrimin dhe ata po mundohen ta vendosin atë në një shteg në mënyrë që të përmbushë vlerat e demokracisë, dhe në të njejtën kohë ta bëj atë edhe të arsyeshme dhe racionale, që të mos dalë jashtë kontrollit. Për mendimin tim, këta njerëz janë shumë më të zgjuar se jo vetëm elita politike, por edhe se elita intelektuale e udhëheqësit opozitarë duke përfshirë edhe partitë politike. Në këtë kohë, të rinjtë në botën Arabe janë shumë më të zgjuar dhe në gjendje për të krijuar ndryshimin se sa të moshuarit -- duke përfshirë këtu edhe regjimet e vjetra politike kulturale dhe ideologjike.
Chris Anderson: Ne nuk do të përfshihemi në politikë dhe nuk do të ndërhyjmë në atë mënyrë. Çfarë duhet njerëzit këtu në TED, këtu në Perëndim, të bëjnë nëse dëshirojnë të lidhen dhe të bëjnë një ndryshim dhe të cilët besojnë në atë që po ngjanë këtu?
Wadah Khanfar: Mendoj që kemi zbulur një gjë shumë me rëndësi në botën Arabe -- që njerëzit interesohen, njerëzit i japin rëndësi këtij shndërrimi të madh. Mohamed Nanabhay i cili është i pranishëm këtu sonte, drejtuesi i Aljazeera.net, ai më tregoi që kishte rritje prej 2.500 përqind në qasjen në faqen tonë të internetit nga pjesë të ndryshme të botës. 50 përqind e kësaj rritje vjen nga Amerika. Meqë ne zbuluam që njerëzit i japin rëndësi, dhe njerëzit dëshirojnë të dijnë -- ata po marrin rrjedhën nga Interneti. Fatkeqësisht në Shtetet e Bashkuara, ne nuk raportojmë përveçse nga Washington D.C. në këto kohë për pjesën e Al Jazeera-s në gjuhën angleze. Por mund të iu tregoj, që ky është momenti për të festuar duke u lidhur me njëri tjetrin me ata njerëz nëpër rrugë dhe të shprehim mbështetjen tonë për ta dhe të shprehim këtë ndjenjë, ndjenjë universale, të mbështetjes për të dobëtit dhe të shtypurit për të krijuar një të ardhme shumë më të mirë për secilin nga ne.
Chris Anderson: Në fakt Wadah, një grup i anëtarëve të komunitetit të TED-it, TEDX Kairo, po takohen në këto momente përderisa ne flasim. Ata kanë pasur ca folës atje. Besoj që të kanë dëgjuar edhe ty tek flisje. Faleminderit që i ke frymëzuar ata dhe faleminderit që na frymëzove neve. Faleminderit shume.
You can share this video by copying this HTML to your clipboard and pasting into your blog or web page. This video will play with subtitles.
You either have JavaScript turned off or have an old version of the Adobe Flash Player. To view this rating widget you
need to get the latest Flash player.
If your browser allows only "trusted sites" to execute Javascript, you should add the "googleapis.com" domain to your whitelist to allow our Flash detection to work properly.
Got an idea, question, or debate inspired by this talk? Start a TED Conversation.
Ndësa një revolucion demokratik i udhëhequr nga të rinjtë e fuqizuar me teknologji përfshinë botën Arabe, Wadah Khanfar, drejtori i Al Xhazira-s, ndan një pikëpamje thellësisht optimiste në lidhje me atë që po ngjan ne Egjipt, Tunisi, Libi, dhe më tej - në këtë moment të fuqishëm kur njerëzit kanë kuptuar që mund të dalin në rrugë dhe të kërkojnë ndryshimin.
As the Director General of Al Jazeera from 2003-2011, Wadah Khanfar worked to bring rare liberties like information, transparency and dissenting voices to repressive states and political hot zones. Full bio »
Translated into Albanian by Jeta Rudi
Reviewed by Helena Bedalli
Comments? Please email the translators above.
17:50 Posted: Jul 2007
Views 273,142 | Comments 83
Just follow the guidelines outlined under our Creative Commons license.
This comment will be attributed to . Not ? Sign Out.