Jemi në Luftën e Dytë Botërore. Në një kamp përqendrimi gjerman. Dhe ky njeri, Archie Cochrane, është rob lufte dhe mjek, dhe e mundon një problem. Problemi është që pacientët që ka nën kujdes vuajnë nga një simptomë e padurueshme dhe sfilitëse të cilën Archie nuk e kupton dot. Simptomat janë ca ënjtje të lëngshme të tmerrshme nën lëkurë. Por nuk dihet në është infeksion, apo vjen nga të mosushqyerit. Nuk di si ta kurojë. Dhe i duhet të punojë në një mjedis armiqësor. Dhe në luftë njerëzit bëjnë gjëra të tmerrshme. Rojet gjermane të kampit mërziten. Dhe për të hequr mërzinë shtijnë kuturu në kampit, për t'u zbavitur. Në një rast të veçantë, një nga rojet hodhi një granatë në banjat e të burgosurve ndërkohë që qe plot me të burgosur. Tha se dëgjoi të qeshura të dyshimta. Dhe Archie Cochrane, si doktori i kampit, qe një nga të parët që u mor me gjëmën. Dhe diçka tjetër: Archie vuante dhe vetë nga kjo sëmundje.
Pra, situata dukej fare e pashpresë. Por Archie Cochrane qe njeri i zoti. Kish kohë që fuste fshehurazi vitaminë C në kamp, dhe pas kësaj ia doli të marrë racione marmite nga tregu i zi. Ca prej jush vrasin mendjen se ç'është "marmita". Është një gjë për të lyer bukën, dhe që britanikët e kanë për zemër. Duke si naftë bruto. Ka shije ... pickuese. Dhe më e rëndësishmja, është një burim i pasur vitamine B12. Archie i ndan pacientët e vet, me aq sa mundet, në dy grupe të barabartë. Gjysmës së tyre u jep vitaminë C. Gjysmës tjetër i jep vitaminë B12. Vëzhgimet e veta, me shumë kujdes dhe hollësisht, i mban shënim në fletore. Dhe vetëm pas pak ditësh, bëhet e qartë që pavarësisht se ç'e shkaktonte këtë sëmundje, marmita është kura.
E kështu Cochrane shkon te gjermanët që drejtojnë kampin. Mundohuni ta përfytyroni atë çast -- lëreni foton, përfytyroni këtë njeri me atë mjekër të gjatë kuqaloshe dhe tufën e flokëve të kuqërremtë. E ku të rruhej -- një si tip Billy Connolly. Cochrane zë e ankohet te këta gjermanët me theksin e tij skocez -- në gjermanishte të kulluar, meqë ra llafi, por me theks skocezi -- dhe u shpjegon se kultura gjermane qe ajo që i dha botës Shilerin dhe Gëten. Dhe se nuk e kupton se si mund të tolerohet kjo barbari, dhe u zbrazet atyre. Pas kësaj kthehet te baraka e tij, nuk mban më dhe zë e ngashërehet, ngaqë është i bindur se nuk ka shpresa. Por një mjek i ri gjerman e merr fletoren e Archie Cochrane-it dhe u thotë kolegëve të vet, "Kjo provë është e pakundërshtueshme. Po nuk u dhamë vitamina të burgosurve, është krim lufte." Dhe të nesërmen në mëngjes, në kamp shpërndahen doza vitamine B12, dhe të burgosurit fillojnë ta marrin veten.
Këtë histori nuk po jua rrëfej ngaqë mendoj se Archie Cochrane qe i lezetshëm, edhe pse në fakt Archie Cochrane qe i lezetshëm. Historinë nuk jua rrëfej as ngaqë mendoj se do të duhej të bënim prova kuturu të kontrolluara më me kujdes në krejt fushat e politikave publike, edhe pse mendoj se kjo do të qe krejtësisht e shkëlqyer. Këtë histori po jua tregoj ngaqë Archie Cochrane, krejt jetën e tij, luftoi kundër kësaj pllakosje të tmerrshme, dhe kuptoi se qe sakatuese për individët dhe korrozive për shoqërinë. Dhe i kish vënë një emër asaj. E pat quajtur kompleksi i Zotit. Mund t'i përshkruaj simptomat e kompleksit të Zotit fare, fare kollaj. Simptomat e kompleksit janë që, sado i ndërlikuar të jetë një problem, keni një besim absolutisht mbizotërues se zgjidhja juaj është pa diskutim e drejtë.
Tani, Archie qe mjek, ndaj rrinte shpesh me mjekë. Dhe mjekët shpesh vuajnë prej kompleksit të Zotit. Kurse unë jam ekonomist, nuk jam mjek, por rreth meje e shoh gjithë kohës kompleksin e Zotit te të njohurit e mi ekonomistë. E shoh te drejtuesit tanë të biznesit. E shoh te politikanët për të cilët votojmë -- persona që, faqe një bote të ndërlikuar sa nuk besohet, janë megjithatë absolutisht të bindur se e kanë kuptuar se si funksionon ajo. Dhe e dini çfarë, me miliardat që do t'i shtohen në të ardhmen, bota thjesht është shumë e ndërlikuar për ta kuptuar në këtë mënyrë.
Më lejoni t'ju jap një shembull. Përfytyroni për një çast që, në vend të Tim Harfordit para jush, të qe Hans Rosling duke treguar grafikët e tij. E njihni Hansin: Mick Jagger-i i TED-it. (Të qeshura) Dhe do t'ju tregonte këta grafikë marramendës, këto animacione marramendëse. Që janë të shkëlqyer, flasim për një punë të mrekullueshme. Le të marrim një grafik tipik të Hans Rosling-ut: mendojeni një çast, jo çfarë tregon, në vend të kësaj mendoni se çfarë lihet pa u treguar. pra do t'ju shfaqë PPB-në për frymë, popullsinë, jetëgjatësinë, dhe kaq. Pra tre lloj të dhënash për çdo vend -- tre lloj të dhënash. Tre lloj të dhënash nuk janë gjë hiç. Dua të them, hidhuni një sy këtyre grafikëve.
Ky është ndërtuar nga fizikani Cezar Hidalgo. I cili punon në MIT. Nuk do të arrini të kuptoni prej tij qoftë edhe një fjalë, por ja se si duket. Hidalgoja u mor me bazën e të dhënave të më tepër se 5000 produkteve të ndryshme, duke përdorur teknika analize rrjetesh për të hetuar këtë bazë të dhënash dhe paraqitur grafikisht marrëdhëniet mes produkteve të ndryshme. Dhe është punë vërtet e mrekullueshme. Duken krejt këto ndërlidhjet, krejt këto marrëdhëniet. Dhe mendoj se do të jetë thellësisht e dobishme për të kuptuar se si rritet ekonomia. Punë e shkëlyer. Unë dhe Cezari provuam të shkruajmë një artikull për revistën The New York Times për të shpjeguar se si funksionon. Mësimi që nxorëm prej kësaj qe se puna e Cezarit qe shumë më lart se sa mund të shpjegohej në revistën The New York Times.
Pesë mijë produkte -- e prapë kaq nuk është gjë. Pesë mijë produkte -- pa mendoni të shqyrtoheshin krejt kategoritë e produkteve te të dhënat e Cezar Hidalgos. Përfytyroni sikur të kishit një sekondë për kategori produktesh. Për aq sa zgjat ky sesioni ynë, do të kishit arritur të numëronit krejt të 5000-tët. Tani përfytyroni të bëni të njëjtën gjë për çdo lloj të ndryshëm produkti që shet Walmart-i. Që ka 100000. Do t'ju hante gjithë ditën. Tani përfytyroni numërimin e çdo produkti dhe shërbimi të ndryshëm që ofron një ekonomi e fuqishme si Tokio, Londra ose Nju Jorku. Akoma më e vështirë për Edinburgun ngaqë duhet të numëroni gjithë uiskit dhe stofrat me kuadrata. Nëse doni të numëroni çdo produkt dhe shërbim që ofron Nju Jorku -- ka nja 10 miliardë të tillë -- do t'ju duheshin 317 vjetë. Ja pra se sa e ndërlikuar është ekonomia që kemi krijuar. Dhe deri këtu thjesht numëruam kusi. Nuk i hymë zgjidhjes së problemit të Lindjes së Mesme. Kompleksiteti këtu është i pabesueshëm. Sa për ta vënë në kontekst historik -- shoqëritë në të cilat evoluoi truri njerëzor kanë pasur rreth 300 produkte dhe shërbime. Mund t'i numëroni për pesë minuta.
Kaq e ndërlikuar është bota që na rrethon. Ndoshta prej kësaj na duket kaq joshës kompleksi i Zotit. Priremi zmbrapsemi dhe të themi, "Ca vizatime, ca grafikë, dhe ja ku jemi, e kuptojmë si funksionon." Por ja që jo. Kurrë nuk arrijmë. Këtu nuk po përpiqem të jap një mesazh nihilisti. Nuk po provoj të them se nuk zgjidhim dot probleme të komplikuara të një bote të komplikuar. Pa dyshim që mundemi. Por rruga me të cilën i zgjidhim është ajo e përultësisë -- e heqjes dorë prej kompleksit të Zotit dhe përdorimit të një teknike të efektshme për zgjidhje problemesh. Dhe kemi një teknikë te efektshme për zgjidhje problemesh. Tregomëni një sistem kompleks, që ka dalë i suksesshëm, dhe do t'ju tregoj se si ai sistem ka evoluar përmes provash dhe gabimesh.
Ja një shembull. Kjo bebe është prodhuar përmes provash dhe gabimesh. E kuptoj që ky është një pohim i dykuptimtë. Ndoshta më duhet ta qartësoj. Kjo bebe është një organizëm njerëzor: ka evoluar. Ç'është evolucioni? Variacion dhe përzgjedhje përgjatë miliona vjetësh, variacion dhe përzgjedhje -- prova dhe gabime, prova dhe gabime. Dhe mrekullira përmes provave dhe gabimeve nuk prodhojnë vetëm sistemet biologjike. Mund ta shihni në kontekst industrial.
Le të themi se donit të prodhonit një detergjent. Le të themi se jeni Unilever-i dhe doni të bëni një detergjent në një fabrikë afër Liverpulit. Si e bëni? Po ja, keni këtë cisternë të madhe plot me detergjent të lëngshëm. E pomponi me presion të lartë nëpër një stërpikës. Krijoni kështu një stërpikje detergjenti. Mandej kjo stërpikje thahet. Shndërrohet në pluhur. Bie në dysheme. E mblidhni me fshesë. E fusni në kuti kartoni. E shisni në supermarket. Dhe bëni para me thasë. Si të ndërtohet stërpikësi? Del se ai është shumë i rëndësishëm. Po qe se ecni sipas kompleksit të Zotit, do t'ju duhet të gjeni një Zot të vockël. Gjeni një matematikan, ose një fizikan -- dikë që merr vesh nga dinamika e lëngjeve. Dhe ai, ose ajo, do t'ju nxjerrin skemën optimale të stërpikësit. Këtë bëri Unilever por ja që nuk funksionoi -- shumë e ndërlikuar. Edhe një problem si ky është shumë i ndërlikuar.
Por i specializuari për gjenetikë, prof. Steve Jones na përshkruan se si e zgjidhi në fakt Unilever këtë problem -- prova dhe gabime, variacion dhe përzgjedhje. Merret një stërpikës dhe krijohen 10 variacione kuturu të tij. Provohen që të 10; mbahet ai që punon më mirë. Krijohen mandej 10 variacione të këtij. Provohen që të 10. Mbahet ai që punon më mirë. Provohen 10 variacione të këtij. E shihni se si funksionon, kështu? Dhe pas 45 brezash, mbërrini te ky stërpikës i pabesueshëm. Duket ca si gur shahu -- funksionon absolutisht shkëlqyeshëm. Nuk ia kemi idenë pse funksionon, as më të voglën ide. Dhe në çastin që hiqni dorë prej kompleksit të Zotit -- përpiquni thjesht të keni një grup idesh, një rrugë sistematike për përcaktimin se cila bën punë e cila jo -- mund ta zgjidhni problemin tuaj.
Tani, ky procesi i provave dhe gabimeve faktikisht është shumë më i zakonshëm në raste suksesi, më shumë se sa ia vëmë veshin. Dëgjojmë ngado se si funksionojnë ekonomitë. Ekonomia e ShBA-ve është ende ekonomia më e madhe e botës. Si u bë ekonomia më e madhe e botës? Mund t'ju jap fakte dhe shifra sa të doni e ç'të doni për ekonominë e ShBA-ve, por mendoj se më i spikaturi është ky: çdo vit zhduken dhjetë përqind e bizneseve amerikane. Ky nivel dështimi është i lartë. Është goxha më i lartë se sa niveli i dështimit të amerikanëve, të themi. Nuk zhduken dhjetë përqind amerikanë në vit. Çka na shpie te përfundimi se bizneset amerikane dështojnë më shpejt se sa vetë amerikanët, kështu që bizneset amerikane po evoluojnë më shpejt se amerikanët. Dhe përfundimisht, kanë evoluar në atë shkallë përsosmërie saqë do të na bëjnë të tërëve lodra të tyret -- (Të qeshura) sigurisht, po qe se nuk na kanë bërë tashmë... them ndonjëherë me vete. Por është ky proces provash dhe gabimesh që shpjegon këtë divergjencë të madhe, këtë sukses të pabesueshëm të ekonomive perëndimore. Ky nuk erdhi ngaqë vutë në timon ndonjë person tejet të mençëm. Erdhi përmes provash dhe gabimesh.
Gjatë muajve të fundit, njëfarësoj, jam marrë me këtë, dhe ka raste që njerëzit më thonë, "Tim, kjo është e qartë. Dihet që provat dhe gabimet janë shumë të rëndësishme. Dihet që eksperimentimi është shumë i rëndësishëm. Ndaj pse humb kohën duke thënë gjëra që dihen?"
Dhe u përgjigjem, bukur, në rregull. Thoni se dihet? Do ta pranoj që dihet kur shkollat të zënë e t'u mësojnë fëmijëve se ka ca probleme që nuk kanë përgjigje të saktë. Mjaft u dhatë lista me pyetje ku për secilën ka një përgjigje, si të kish një figurë autoritare në qoshe pas katedrës së mësuesit që i di të gjitha përgjigjet. Dhe kur nuk i gjeni dot përgjigjet, i bie të jeni dembel ose budalla. Kur shkolla të heqë dorë nga këto që bën gjithë kohës, do ta pranoj që po, është e qartë që provat dhe gabimet janë gjë e dobishme. kur një politikan del e bën fushatë për diku duke thënë, "dua të rregulloj sistemin tuaj shëndetësor. Dua të rregulloj sistemin tuaj arsimor. Se si bëhet nuk e di. Por kam ca ide. Që do t'i vëmë në provë. Ka gjasa që të dalin huq të tëra. Por do të vëmë në provë ca ide të tjera. Do të dalë ndonjëra që funksionon. Me atë do të merremi. E do t'i lëmë mënjanë ato që nuk vlejnë." -- Kur një politikan të bëjë fushatë me të tillë platformë, dhe më e rëndësishmja, kur votuesit si ju e unë të duan të votojnë për këtë lloj politikani, atëherë do ta pranoj që dihet se provat dhe gabimet japin frute,
e të tjera si këto -- faleminderit. (Duartrokitje)
Deri atëherë, deri kur të vijë ajo ditë do të vazhdoj të flas për provat dhe gabimet dhe pse duhet të heqim dorë nga kompleksi i Zotit. Sepse është kaq e vështirë të heqësh dorë nga pagabueshmëria e vetes. Nuk është fare e rehatshme. Dhe Archie Cochrane e kapi këtë, si kushdo tjetër. Ka një provë tjetër që ai e bëri shumë vjetë pas Luftës së Dytë Botërore. Donte të bënte provë se ku duhej mbajtur pacienti për të marrë veten pas një infarkti? Duhej shtruar në një repart të specializuar në spital, apo kjo duhej bërë në shtëpi? Gjithë mjekët kardiologë u përpoqën t'i mbyllnin gojën. Ishin deri në grykë me kompleksin e Zotit. E dinin që spitalet e tyre ishin vendi i duhur për pacientët, dinin gjithashtu që nuk ishte fare etike të bëje çfarëdo lloj prove apo eksperimenti.
Pavarësisht prej kësaj, Archie arriti të marrë lejen për të. Dhe filloi provën e vet. Pasi prova kish ca kohë që kryhej, mblodhi gjithë kolegët e vet në zyrën e tij, dhe tha, "Zotërinj, kemi ca përfundime paraprake. Pa ndonjë domethënie statistikore. Por ama kemi diçka. Duket se keni të drejtë dhe unë e kisha gabim. Për pacientët është e rrezikshme të marrin veten në shtëpi pas infarktit. Duhen mbajtur në spital." Kaq u desh, krejt mjekët zunë t'i bien tryezës me grusht e të thonë, "Sa herë e kemi e thënë që nuk është etike, Archie?!? Me provat e tua klinike po merr njerëz më qafë. Duhet t'i japësh fund që sot. Jepi fund!" Çka u pasua me një gumëzhimë të madhe. Archie e la të shuhej. Dhe mandej tha, "Ka diçka shumë interesante, zotërinj, ngaqë kur ju dhashë tabelën e përfundimeve, u kam ndërruar vendet dy shtyllave. Del se spitalet po vrasin njerëz, që duhej të ishin në shtëpi. Dëshironi që provat të mbyllen tani, apo të presim deri sa të kemi përfundime më bindëse?" Sallën e mbledhjes e pllakosi një heshtje varri.
Por Cochrane i bënte gjëra të tilla. Dhe arsyeja pse i bënte të tilla gjëra qe ngaqë kish kuptuar se ndjehesh shumë mirë kur ngrihesh e thua, "Këtu, në këtë botën time të vogël, Zoti jam unë, kuptoj gjithçka. Nuk dua që opinionet e mia të vihen në shqyrtim. Nuk dua që përfundimet e mia të vihen në provë." Është shumë më e rehatshme thjesht ta nxjerrësh vetë ligjësinë. Cochrane e pat kuptuar se paqartësia, të qenët pre e gabimeve, i marrjes në shqyrtim, të dhemb. Dhe se është e nevojshme që ndonjëherë t'ju përmendin nga ky lloj besimi. Nuk kam ndërmend të pretendoj se kjo është e lehtë. Nuk është e lehtë. Është e dhimbshme sa nuk besohet.
Dhe qëkur fillova të flas mbi këtë subjekt të merrem me kërkime rreth këtij subjekti, më ka ngelur vërtet në mendje diçka e thënë nga një matematikan japonez rreth subjektit. Pra, pak pasi kish mbaruar lufta, ky djalë i ri, Yutaka Taniyama, përpunoi këtë supozim mahnitës të quajtur Hipoteza Taniyama-Shimura. E cila pas shumë dekadash doli absolutisht e dobishme në vërtetimin e Teoremës së Fundit të Ferma-së. Në fakt, doli se është ekuivalente me vërtetimin e Teoremës së Fundit të Ferma-së. Po vërtetuat njërën, keni vërtetuar dhe tjetrën. Por mbeti gjithmonë një hipotezë. Taniyama u rrek, e u përpoq, e u përpoq por nuk arriti kurrë që ta vërtetonte. Dhe pak para tridhjetëvjetorit të lindjes, më 1958-n, Yutaka Taniyama vrau veten. Miku i tij, Goro Shimura -- që u mor me matematikë tok me të -- shumë dekada më vonë, u shprehur për jetën e Taniyama-s. Dhe tha, "Nuk qe njeri shumë i kujdesshëm si matematikan. Bëri shumë gabime. Por bëri gabime në drejtimin e duhur. U përpoqa të bëja si ai, por kuptova se është shumë e vështirë të bësh gabimet e duhura."
You can share this video by copying this HTML to your clipboard and pasting into your blog or web page. This video will play with subtitles.
You either have JavaScript turned off or have an old version of the Adobe Flash Player. To view this rating widget you
need to get the latest Flash player.
If your browser allows only "trusted sites" to execute Javascript, you should add the "googleapis.com" domain to your whitelist to allow our Flash detection to work properly.
Got an idea, question, or debate inspired by this talk? Start a TED Conversation, or join one of these:
Autori i shkrimeve ekonomike Tim Harford merr në shqyrtim sistemet komplekse -- dhe zbulon një lidhje të beftë mes atyre që kanë sukses: janë ngritur përmes provash dhe gabimesh. Në këtë fjalë emocionuese në TEDGlobal 2011, ai na kërkon të përqafojmë të qenët të rastësishëm dhe të fillojmë të bëjmë gabime më të mira.
Tim Harford's writings reveal the economic ideas behind everyday experiences. Full bio »
Translated into Albanian by Besnik Bleta
Reviewed by Helena Bedalli
Comments? Please email the translators above.
17:51 Posted: Apr 2011
Views 1,372,541 | Comments 360
10:05 Posted: Dec 2010
Views 616,666 | Comments 258
17:30 Posted: Sep 2006
Views 2,564,245 | Comments 289
Just follow the guidelines outlined under our Creative Commons license.
This comment will be attributed to . Not ? Sign Out.