Kjo është një foto nga artisti Michael Najjar, dhe është e njëmendtë, në kuptimin që shkoi atje, në Argjentinë për të bërë foton. Por është edhe sajesë. Përmban mjaft punë të bërë mbi të pas fotografimit. Dhe ajo çka ka bërë është që riformoi, në mënyrë dixhitale, krejt përvijimet e maleve për të ndjekur ndryshimet e treguesit Dow Jones. Kështu që ajo çka shihni, ajo humnerë, ajo humnerë e madhe me luginën, është kriza financiare e 2008-s. Fotoja u bë kur gjendeshim thellë në luginë. Nuk e di se ku gjendemi tani. Ky është treguesi Hang Seng për Hong Kongun. Dhe topografi të ngjashme. Pyes veten pse.
Ky është art. Kjo është metaforë. Por mendoj se thelbi është që kjo është metaforë me dhëmbë, dhe me këto dhëmbë dua t'ju propozoj sot që ta rimendojmë pakëz rolin e matematikës bashkëkohore -- jo thjesht atë financiaren, por matematikën në përgjithësi. Pra kalimin e saj nga diçka që nxirret dhe përftohet prej botës në diçka që fillon në fakt t'i japë formë asaj -- botës rreth nesh dhe botës brenda nesh. Dhe këtu hyjnë algoritmet veçanërisht, që janë në thelb matematika e përdorur nga kompjuterët për të marrë vendime. Këta fitojnë ndjeshmërinë e diçkaje prej vërteti, ngaqë përsëriten vazhdimisht, ngurtësohen dhe kalcifikohen, dhe bëhen realë.
Dhe këtë po e mendoja, në vendin më të pamundur, gjatë një fluturimi transatlantik para ca vitesh, ngaqë rastisi të kisha ngjitur një fizikan hungarez në një moshë me mua dhe po bisedonim rreth jetës së fizikanëve në Hungari gjatë Luftës së Ftohtë. Dhe i them, "Pra me se merreshit?"
"Shumicën e kohës zbërthenim mënyra pikasjeje të ulët."
I them, "Punë e bukur. Më duket interesante. Si funksionon kjo?" Dhe që ta kuptoni këtë, lypset të kuptoni pak se si funksionon pikasja e ulët. Pra -- thënë shumë e thjeshtëzuar -- por në thelb, nuk bëhet fjalë që thjesht të kaloni një sinjal radari drejt e përmes 156 tonësh çeliku në qiell. Nuk ka për t'u zhdukur. Por nëse mundeni ta merrni këtë gjë të madhe, masive, dhe ta shndërroni në një milion gjëra të vockla -- në diçka të ngjashme me një tufë zogjsh -- atëherë radari që kërkon për të duhet të jetë në gjendje të shohë çdo tufë zogjsh në qiell. Dhe po të jeni radari, e keni vërtet punën pisk.
Dhe tha, "Po." Tha, "Por nëse jeni radar ama. Por ne nuk përdornim radar; ne krijuam një kuti të zezë që kërkonte për sinjale elektrike, ndërlidhje elektronike. Dhe kurdo që kapnim një tufë zogjsh me ndërlidhje elektronike, mendonim, 'Ka mundësi të kenë diçka me amerikanët.'"
Iu përgjigja, "Po. E lezetshme. Pra hodhët tej me efekt 60 vjetë kërkimesh aeronautike. Po akti i dytë i shfaqjes? Ç'bëtë kur u rritët?" Dhe më thotë, "Po ja, shërbime financiare." Dhe i them, "Oh." Ngaqë këto janë në lajme së fundi. I them, "Po kjo si funksionon?" Më tha, "Po ja, sot në Wall Street ka 2 mijë fizikanë, e unë jam një prej tyre." I thashë, "Po për Wall Street-in ç'kuti të zezë ka?"
Dhe më thotë, "Më zbavit pyetja jote, ngaqë quhen vërtet transaksione të kutisë së zezë. Dhe ndonjëherë i quajnë transaksione algo, transaksione algoritmike." Transaksione me bazë algoritmet pjesërisht evoluuan ngaqë operatorët e institucionalizuar patën të njëjtat probleme që patën Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, pra që ndryshojnë pozicionin e tyre -- Proctor & Gamble a Accenture qoftë, cilido -- hedhin në treg një milionë aksione për diçka. Edhe nëse e bën njëherësh, është si të luash gjithçka në poker në një dorë. Thjesht zbulon dorën. Pra u duhet të gjejnë një mënyrë -- dhe për ta bërë këtë përdorin algoritmet -- për ta ndarë atë gjënë e madhe në një milionë transaksione të vockla. Magjia dhe tmerri i kësaj është që e njëjta matematikë që përdorni për ta ndarë gjënë e madhe në një milion gjëra të vogla mund të përdoret për të gjetur një milion gjëra të vogla për t'i ngjitur me njëra-tjetrën dhe për të parë kështu seç po ndodh në treg.
Pra, nëse ju duhet të keni një ide se ç'po ndodh në bursë këtë çast, ajo çka ju duhet është një dorë algoritmesh të krijuar në fakt për ta fshehur këtë, dhe një dorë algoritmesh që janë krijuar për t'i gjetur këta më sipër. Dhe krejt kjo është e bukur, e pacen. Dhe përbën 70 përqind të bursës së Shteteve të Bashkuara, 70 përqind e sistemit operativ të njohur dikur si pensionet tuaj, kredia juaj për shtëpinë.
Po, edhe ç'rrezik ka? Çka mund të shkojë ters është që një vit më parë, nëntë përqind e krejt tregut thjesht u avullua brenda pesë minutash, dhe e quajtën Vithisja Rrufe e orës 2:45. Krejt papritmas, nëntë përqind thjesht u zhdukën, dhe deri më sot askush nuk bie dakord mbi çka ndodhi ngaqë nuk u urdhërua nga askush, askush s'e kërkoi. Askush nuk kish kontroll mbi atë që po ndodhte realisht. Kishin vetëm një monitor para syve që shfaqte numra dhe thjesht një buton të kuq ku lexohej, "Stop."
Këtu është puna, çështja, që po shkruajmë gjëra, po shkruajmë gjëra që nuk i lexojmë dot më. Diçka e kemi bërë të palexueshme, dhe kemi humbur idenë se ç'po ndodh në të vërtetë në botën që kemi krijuar. Dhe sa kemi filluar. Në Boston ka një kompani që quhet Nanex, të cilët përdorin matematikë dhe trike magjike e nuk di ç'tjetër, hyjnë në krejt të dhënat e tregut dhe zbulojnë, jo gjithmonë, disa prej këtyre algoritmeve. Dhe kur gjejnë të tillë, i nxjerrin sheshit dhe i ngulin në mur si flutura. Dhe bëjnë çfarë kemi bërë gjithmonë kur gjendemi faqe sasish të mëdha të dhënash që nuk i kuptojmë -- pra u japin një emër dhe një histori. Kjo është një prej gjetjeve, e quajtën Kama, Karnavali, Boston Shuffler, Muzgu.
Dhe qyfyri këtu është se, pa dyshim, këta nuk përshkojnë vetëm tregun. Gjëra si këto shihen ngado të hidhni sytë, pasi e kuptoni se si t'i kërkoni. Mund ta kapni këtu: ky libër mbi mizat që ndoshta kërkonit në Amazon.com. Mund ta keni vënë re kur çmimi fillestar qe 1.7 milionë dollarë. Është jashtë katalogu -- ende ... (Të qeshura) Po ta kishit blerë për 1.7, do kishit dalë me qar. Ca orë më pas, u ngjit në 23.6 milionë dollarë, plus paketimin dhe dërgimin. Pyetja është: Askush nuk po blinte a shiste gjë; si ndodhi? Pra këtë marifet e shihni në Amazon.com ashtu si, sigurisht, e shihni në Wall Street. Dhe kur vini re këtë lloj sjellje, ajo çka shihni është dëshmi algoritmesh në konflikt, algoritme të ngërthyer dhe të bllokuar me njëri-tjetrin, pa kontroll njerëzor, pa mbikëqyrje nga një i pjekur që të thosh, "Mor, po si shumë 1.7 milionë."
Njësoj me Amazon.com, edhe Netflix-i. Netflix-i ka kaluar nëpër disa algoritme të ndryshëm përgjatë vitesh. Ia filluan me Cinematch, dhe kanë provuar edhe ca të tjerë -- të tillë si Planeti i Dinozaurit; si Rëndesa. Tani përdorin Kaosin Pragmatik. Kaosi Pragmatik përpiqet, si krejt algoritmet e Netflix-it, të bëjë të njëjtën gjë. Të arrijë pak kontroll mbi ju, mbi programin brenda kafkës së njeriut, që të mundë të rekomandojë ç'film mund të donit të shihni herës tjetër -- çka është problem shumë, shumë i vështirë. Por vështirësia e problemit dhe fakti që nuk e kemi vënë poshtë ende, nuk na mban larg nga efektet që sjell Kaosi Pragmatik. Kaosi Pragmatik, si krejt algoritmet e Netflix-it, përcakton, në fund të fundit, 60 përqind të dhënieve me qira të filmave. Pra një copë kod me një ide të përciptë rreth jush është përgjegjës për 60 përqind të dhënieve me qira.
Po sikur të mund t'i vlerësonit këta filma përpara se të prodhoheshin? A s'do të ish me leverdi? Në Hollivud ka një dorë shkencëtarësh britanikë të dhënash, dhe kanë "algoritme historish" -- një kompani e quajtur Epagogix. Skenarin tuaj mund t'ua nënshtroni këtyre, dhe mund t'ju tregojnë, në mënyrë sasiore, që ky bën për një film 30 milionë dollarësh ose për një film 200 milionë dollarësh. E bukura këtu është se nuk bëhet fjalë për Google. Ky nuk është informacion. Këto nuk janë statistika financiare; kjo është kulturë. Dhe ajo çka shihni këtu, ose ajo që normalisht nuk e shihni, është kjo fizikë e kulturës. Dhe nëse këta algoritme, ashtu si algoritmet në Wall Street, një ditë thjesht vithisen e venë së prapthi, si do ta marrim vesh? Me se do të ngjante kjo?
Dhe i keni brenda në shtëpi. Janë brenda shtëpisë suaj. Ka dy algoritme që konkurrojnë për dhomën e ndenjes. Këta janë dy robotë të ndryshëm pastrimi që kanë ide krejt të ndryshme mbi ç'do të thotë pastrim. Dhe mund ta shihni nëse i ngadalësoni dhe u ngjisni drita, dhe duken si arkitektë sekretë në dhomën tuaj. Vetë ideja që arkitektura të jetë në një farë mënyre subjekt optimizimi algoritmik nuk është dhe aq e largët. Është super-reale dhe po ndodh përqark jush.
E ndjeni më shumë kur gjendeni brenda një kutie metalike të vulosur, ashensor i një tipi të ri; quhen ashensorë me kontroll të vendmbërritjes. Janë ata ku të duhet të shtypësh se në ç'kat po shkon, përpara se të hyni në ashensor. Përdorin atë që quhet algoritmi i mbushjesh së shportës. Që kështu asnjë prej këtyre nuk shkallon dhe të lërë këdo të hipë në kë ndarje të dojë. Cilido që dëshiron të shkojë në katin e 10, të hipë te dyshi, dhe cilido që dëshiron të shkojë në katin e tretë të hyjë te pesa. Problemi me këtë është se u kall datën njerëzve. Njerëzit i kap paniku. Dhe e shihni pse. E kuptoni psenë. Ngaqë ashensorit i mungojnë disa instrumente të rëndësishëm, si butonat. (Të qeshura) Gjëra që përdorin njerëzit. Krejt ç'ka, është një numër që rritet ose zvogëlohet dhe një buton të kuq që thotë, "Stop." Kjo është ajo çka kemi hartuar. Kemi hartuar diçka në dialektin e kësaj makine. Deri ku mund ta shpini këtë? Sa thellë? Mund ta çoni shumë, shumë thellë.
Më lejoni të kthehem te Wall Street-i. Ngaqë algoritmet e Wall Street-it duhet, mbi të gjitha, të kenë një veti, që është shpejtësia. Ata veprojnë brenda milisekondash dhe mikrosekondash. Dhe që të kuptoni se ç'janë mikrosekondat, ju nevojiten 500 mijë mikrosekonda që të klikoni mbi një mi. Por nëse jeni një algoritëm Wall Street-i dhe jeni pesë mikrosekonda pas tjetrit, e mori dreqi atë punë. Pra, po të ishit algoritëm, do të shihnit për ndonjë arkitekt si ai që takova unë në Frankfurt i cili po zbrazte një rrokaqiell -- nga krejt mobilimi, krejt infrastruktura e përdorshme nga njeriu, dhe po e vishte dyshemenë me çelik për ta bërë gati për grumbujt e shërbyesve që do të instaloheshin -- e gjitha kjo që një algoritëm të ishte afër Internetit.
Internetin e mendojmë si një lloj sistemi me shpërndarje. Dhe sigurisht që është, por me shpërndarje larg vendesh. Në Nju Jork, ja se prej nga shpërndahet: Hoteli Carrier që gjendet në Hudson Street. Dhe ky është me të vërtet vendi prej nga kabllot hyjnë në qytet. Dhe fakti është që sa më larg të jeni prej kësaj pike, aq më shumë mikrosekonda mbeteni prapa. Ata të Wall Street-it, Marco Polo-s dhe Cherokee Nation-it, janë tetë mikrosekonda prapa gjithë këtyre që hyjnë te ndërtesat bosh, të zbrazura rreth e qark Hotelit Carrier. Dhe kjo do të vazhdojë të ndodhë. Do të vazhdojmë t'i zbrazim, ngaqë ju, centimetër pas centimetri sterlinë pas sterline dhe dollar pas dollari, askush nga ju, nuk mund të nxjerrë nga ajo hapësirë më tepër fitim se sa mund të nxirrte Boston Shuffler.
Por po të zmadhoni, sikur të zmadhonit këtu, do të shihni një kanal 825 milje që lidh Nju Jorkun me Çikagon e që është ndërtuar gjatë viteve të fundit nga një shoqëri e quajtur Spread Networks. Ky është një kabëll fibrash optike që u shtrua mes dy qyteteve thjesht për të qenë në gjendje të transmetohet një sinjal 37 herë më shpejt se sa koha për një klikim të miut -- vetëm për këto algoritme, vetëm për Karnavalin dhe Kamën. Dhe po ta mendosh, që i kemi hyrë Shteteve të Bashkuara me dinamit dhe sharra guri që një algoritëm të mund të përfundojë një pazar tre mikrosekonda më shpejt, krejt kjo për një lloj ndërlidhje që s'ka për ta kuptuar kush ndonjëherë, vjen e bëhet si fat i shkruar; përherë në kërkim për kufij të rinj.
Për fat të keq, kjo punë është e zorshme. Kjo është vetëm teorikisht. Këta janë disa matematikanë në MIT. Ç'është e vërteta, unë nuk kuptoj në fakt shumë prej gjërave për të cilat flasin. Hyjnë në lojë kone drite dhe kurthe kuantikë, dhe nuk kuptoj vërtet asgjë prej kësaj. Por mund të kuptoj këtë hartë, dhe ajo që thotë kjo hartë është që, nëse po provoni të fitoni para në tregjet ku janë pikat e kuqe, atje ku gjenden njerëzit, atje ku janë qytetet, do të duhet që shërbyesit t'i vini atje ku janë pikat blu që këtë ta arrini me efektshmërinë më të madhe. Dhe ajo që mund ta keni vënë re për këto pikat blu është që shumica e tyre bien në mes të oqeanit. Ja si do ta zgjidhnim: do të ndërtojmë flluska ose diçka të ngjashme, ose platforma. Do të hapim ujët që paraja të hidhet në hava, sepse e ardhmja është e shkëlqyer nëse jeni algoritëm.
Dhe faktikisht ajo që është kaq me interes nuk është paraja. Është ajo çka motivohet prej parasë, fakti që në të vërtetë po tokëformojmë Tokën vetë me këtë efektshmëri algoritmesh. Me këtë optikë, kthehuni mbrapsht dhe vështroni fotot e Michael Najjar-it, dhe e kuptoni që nuk janë metaforë, janë profeci. Janë profeci për ato lloj efektesh sizmike, tokësore të matematikës që po krijojmë. Panorama gjithmonë është pjellë e këtij lloji bashkëpunimi të çuditshëm, të sikletshëm mes natyrës dhe njeriut. Por tani kemi këtë forcë të tretë ko-evolucionare: algoritmet -- Boston Shuffler-in, Karnavalin. Dhe do të na duhet t'i konsiderojmë si natyrë, dhe në një farë mënyre, janë të tillë.
You can share this video by copying this HTML to your clipboard and pasting into your blog or web page. This video will play with subtitles.
You either have JavaScript turned off or have an old version of the Adobe Flash Player. To view this rating widget you
need to get the latest Flash player.
If your browser allows only "trusted sites" to execute Javascript, you should add the "googleapis.com" domain to your whitelist to allow our Flash detection to work properly.
Got an idea, question, or debate inspired by this talk? Start a TED Conversation.
Kevin Slavin thotë se rrojmë në një botë të hartuar për -- dhe të kontrolluar gjithnjë e më shumë nga -- algoritmet. Në këtë fjalë ngërthyese nga TEDGlobal, ai tregon se si këto programe komplekse kompjuteri përcaktojnë: taktika spiunazhi, çmime aksionesh, skenarë filmash dhe arkitekturë. Dhe tërheq vëmendjen mbi faktin që po shkruajmë ko të cilin nuk e kuptojmë, me pasoja të cilat nuk i kontrollojmë dot.
Kevin Slavin navigates in the algoworld, the expanding space in our lives that’s determined and run by algorithms. Full bio »
Translated into Albanian by Besnik Bleta
Reviewed by Liridon Shala
Comments? Please email the translators above.
07:53 Posted: Jan 2011
Views 692,110 | Comments 222
03:42 Posted: Nov 2010
Views 731,173 | Comments 128
Just follow the guidelines outlined under our Creative Commons license.
This comment will be attributed to . Not ? Sign Out.