Sot dua t'ju flas mbi dy prirjet më të mëdha shoqërore të shekullit të ardhshëm, dhe ndoshta për 10 mijë vjetët e ardhshëm. Por dua t'ia filloj me punimet e mia rreth dashurisë romantike, ngaqë këto janë punimet e mia më të reja. Ajo çka bëmë unë dhe kolegët e mi qe vënia e 32 personave, të dashuruar marrëzisht, në një skaner MRI truri. 17 që qenë të dashuruar marrëzisht dhe që dashuria u kish ecur mbarë; dhe 15 që qenë marrosur pas dashurisë, por që nuk ua kishin pranuar. Pra dua t'ju rrëfej për këtë së pari, dhe mandej të eci më tej, drejt asaj ku mendoj se po shkon dashuria.
"Ç'do të thotë të duash?" pyeste Shekspiri. Mendoj se paraardhësit tanë -- mendoj se qeniet njerëzore e kanë vrarë mendjen për këtë çështje qëkur zunë të ulen rreth zjarrit ose të këqyrnin yjet shtrirë, këtu e një milion vjet të shkuar. Ia fillova duke u përpjekur të kuptoj se ç'qe dashuria romantike duke parë kërkimet për të në 45 vitet e fundit -- thjesht kërkimet psikologjike, dhe siç del, ka një grup shumë specifik gjërash që ndodhin kur bini në dashuri. Gjëja e parë që ndodh është ajo që e quaj -- një person fillon të marrë atë që e quaj, "kuptim të veçantë." Siç më tha njëherë një shofer kamionësh, "Qendra e botës u zhvendos gjetkë, dhe kjo qendër tanimë qe Meri An."
Xhorxh Bernard Shou e shprehu pakëz më ndryshe. Ai thosh, "Dashuria konsiston në mbivlerësimin e dallimeve mes një gruaje dhe një tjetre." Dhe vërtet, kjo është ajo që bëjmë. (Të qeshura) Dhe ju mandej thjesht fokusoheni në këtë person. Mund të radhisni ç'nuk ju pëlqen në ta, por mandej kësaj i bini vizë dhe përqendroheni në punën tuaj. Si thosh Chaucer-i, "Dashuria është e verbër."
Duke u përpjekur të kuptoj dashurinë romantike, vendosa të lexoj poezi nga gjithë bota, dhe dua t'ju jap një poezi shumë të shkurtër nga Kina e shekullit të tetë, ngaqë është thuajse një shembull i përkryer i një burri që është fokusuar tërësisht te një grua e dhënë. Ngjan paksa me rastin kur jeni marrosur pas dikujt dhe hyni në një parkim. Makina e tij është ndryshe nga e gjithkujt tjetër. Gota e verës gjatë një darke është ndryshe nga çdo gotë vere në pritjen e dhënë. Dhe në rastin tonë, një burrë u fiksua me dyshekun prej bambuje.
Është e një tipi të quajtur Juan Çen dhe fillon kështu: "Nuk bëj dot pa dyshekun prej bambuje. Ditën që të prura në shtëpi, të pashë ta shtroje." U fiksua me një dyshek, me gjasa për shkak të aktivitetit të lartë të dopaminës në tru, njësoj si ju dhe unë.
Sidoqoftë, ky person jo vetëm që merr kuptim të veçantë, vëmendja juaj fokusohet në ta. I lartësoni ata. Por keni energji të fuqishme. Siç tha një polinezian njëherë, "M'u duk se kërceva në qiell." Gjithë natën zgjuar. Lart e poshtë më këmbë deri në agim. Ndjeheni thellësisht i ekzaltuar kur gjërat ju shkojnë mbarë, por humori ndërron në dëshpërim të tmerrshëm kur gjërat venë ters. Varësi e vërtetë nga ky person. Siç më tha një biznesmen dikur në Nju Jork, "Çfarëdo që i pëlqente asaj, e pëlqeja." E thjeshtë. Dashuria romantike është shumë e thjeshtë.
Bëheni tejet posesiv seksualisht. E keni parasysh, nëse, me raste, e ndani shtratin me dikë, nuk pyesni fort nëse ky apo ajo e bën këtë edhe me dikë tjetër. Por në çastin që bini në dashuri, bëheni tejet posesiv seksualisht për ta. Mendoj se ka një kuptim darvinist për këtë. Gjithë kuptimi i kësaj është të bëhen tok dy vetë aq tok sa për të filluar e rritur bebe, si një ekip.
Por karakteristika qendrore e dashurisë romantike është të lakmuarit: një lakmi e fuqishme për të qenë me një person të dhënë, jo thjesht seksualisht, por emocionalisht. Do të donit më mirë -- edhe të shkonit në shtrat me të do të ishte bukur, po doni që t'ju marrë në telefon, t'ju ftojë të dilni, etj. T'ju thotë që ju do. Karakteristika tjetër kryesore është motivimi. Motori në mendjen tuaj fillon e xhiron, dhe e dëshironi atë person.
Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, është një lloj fiksimi. Kur i vendos këta persona në skaner, përpara se t'i vendos në skanerin MRI, U bëj lloj-lloj pyetjesh. Por pyetja ime më e rëndësishme gjithnjë ka qenë po ajo: "Sa përqind të ditës dhe natës mendoni rreth këtij personi?" Dhe në fakt, përgjigja është "Ditë e natë. Nuk e heq dot mendjen prej tij apo saj."
Dhe mandej, pyetja e fundit që u bëj -- Përherë do të më duhej ta përgatisja veten për këtë pyetje, ngaqë nuk jam psikologe. Dhe nuk merrem me persona që janë në gjendje traumatike. Dhe pyetja ime e fundit qe përherë po ajo. U thosha, "Jeni gati të vdisni për të?" Dhe, në fakt, këta persona më thoshin "Po!," si t'u kisha kërkuar të më jepnin pak kripën. Nga kjo kam mbetur me gojë hapur.
Pra, skanuam trurin e tyre, teksa vështronin një foto të të dashurit/dashurës dhe një pa lidhje, me diçka për heqje vëmendje në mes. Pra mund të gjenim -- shihnim të njëjtin tru kur qe në gjendje të eksituar dhe kur qe në gjendje të qetësuar. Dhe pamë aktivitet në mjaft zona të trurit. Në fakt, një nga më të rëndësishmet qe një zonë e trurit që aktivizohet kur ndjeni gulçet e kokainës. Dhe vërtet, kjo është pikërisht ajo çka ndodh.
Zura të kuptoj që dashuria romantike nuk është një emocion. Në fakt, përherë kam menduar që është një varg emocionesh, nga shumë të forta në ato shumë të dobëta. Por në të vërtetë, është një nxitje. Që vjen nga motori i mendjes, nga pjesa e mendjes e lidhur me dëshirën, pjesa e mendjes e lidhur me lakminë. Ajo lloj mendje -- pjesë e mendjes -- kur përpiqeni të kapni një çokollatë, kur doni të fitoni një ngritje në pozitë në punë. Motori i trurit. Është një nxitës.
Dhe në fakt, mendoj se është më i fuqishëm se sa shtysa seksuale. E dini, nëse i kërkoni dikujt të shkojë në shtrat me ju dhe ju përgjigjen, "Jo, faleminderit," sigurisht që nuk ia hiqni vetes dhe as përfundoni në depresion klinik. Por qartazi, anembanë botës, njerëz me dashuri të mohuar do të vrisnin për të. Njerëzit rrojnë për dashurinë. Ata vrasin nga dashuria. Vdesin për dashurinë. Kanë këngë, poema, romane, skulptura, piktura, mite, legjenda. Në mbi 175 qytete, njerëzit kanë lënë shenjën e tyre të këtij sistemi të fuqishëm trunor. Kam filluar të mendoj se është një nga sistemet trunorë më të fuqishëm në planet si në rast lumturie të madhe, ashtu edhe për trishtim të madh.
Dhe mendoj gjithashtu që është një prej tre, sistemeve trunore, në thelb të ndryshëm, të rrjedhur nga çiftimi dhe riprodhimi. Njëri është nxitja seksuale: lakmia për kënaqësi seksuale. W.H. Auden e quante "sëmbim nevror i patolerueshëm," dhe në fakt, ashtu është. Ju bezdis nga pak vazhdimisht, njësoj si kur jeni të uritur. I dyti prej këtyre sistemeve trunore është dashuria romantike: ky lartësim, obsesion i dashurisë së hershme. Dhe sistemi i tretë trunor është lidhja: ajo ndjenjë paqeje dhe sigurie prej një partneri që e keni prej shumë kohësh.
Dhe mendoj se shtysa seksuale evoluoi që t'ju hedhë atje tej, në kërkim të një dore të tërë partnerësh. E keni parasysh, mund t'ju vijë edhe kur jeni thjesht duke ngarë makinën. Mund të mos ketë lidhje fare me dikë konkret. Mendoj se dashuria romantike evoluoi që t'ju mundësojë të përqendroni energjinë e çiftimit në vetëm një individ në herë, duke ruajtur kështu kohë dhe energji çiftimi. Dhe mendoj se të qenët i lidhur pas dikujt, sistemi i tretë trunor, evoluoi për t'ju bërë të mundur tolerimin e kësaj qenie njerëzore -- (Të qeshura) -- të paktën për aq kohë sa duhet për të rritur një fëmijë, tok, si një skuadër.
Me këtë si hyrje, dua të vazhdoj me diskutimin e dy prirjeve më të thella shoqërore. Njëra, e 10 mijë vjetëve të fundit, dhe tjetra -- sigurisht e 25 viteve të fundit -- që do të kenë ndikim në këto tre sisteme të ndryshme trunore: epshi, dashuria romantike dhe përkushtimi i thellë ndaj një partneri.
E para është gruaja në punë, kalimi i saj si krah pune. Kam vëzhguar 150 -- 130 shoqëri përmes anuarëve demografikë të Kombeve të Bashkuara. Dhe kudo në botë, në 129 nga 130 prej tyre, gratë jo thjesht po bëhen pjesë e tregut të punës -- ndonjëherë shumë, shumë ngadalë, por po bëhen pjesë e tregut të punës -- dhe po zhdukin shumë ngadalë këtë dallim mes burrave dhe grave për sa i takon pushtetit ekonomik, shëndetit dhe arsimit. Po ngjet shumë ngadalë.
Për çdo prirje -- në këtë planet, ka një kundërprirje. Të gjithë e dimë, por s'prish punë -- thënia e vjetër arabe. Arabi thotë, "Qentë le të lehin, karvani bën tej." Dhe, vërtet, ky karvan po shkon përpara. Gratë po i kthehen tregut të punës. Dhe them po i kthehen tregut të punës, ngaqë kjo s'është e re. Për miliona vjetë, në kullotat e Afrikës, gratë shkonin në punë për të mbledhur fruta. Ktheheshin në shtëpi me 60 deri 80 përqind të ushqimit të darkës. Familja me dy të ardhura qe standardi. Dhe gratë shiheshin po aq të fuqishme ekonomikisht, shoqërisht dhe seksualisht sa dhe burrat. Shkurt, po bëjmë vërtet përpara drejt të shkuarës.
Mandej, shpikja më e keqe për gratë qe plugu. Me fillimin e bujqësisë me plug, roli i burrit u bë tejet i fuqishëm. Gratë humbën punën e tyre të lashtë si mbledhëse, por së fundi, me revolucionin industrial dhe revolucionin pasindustrial ato po rikthehen në tregun e punës. Shkurt, po fitojnë statusin që kanë pasur një milion vjetë më parë, 10 mijë vjetë më parë, 100 mijë vjetë më parë. Tani po vëmë re një nga traditat më të dalluara në historinë e kafshës njerëzore. Dhe kjo do të ketë ndikim.
Zakonisht jap leksion të plotë mbi ndikimin e grave në bashkësinë e biznesit. Do të them vetëm nja dy gjëra, për të vazhduar mandej me seksin dhe dashurinë. Ka plot dallime mes dy gjinive; cilido që mendon se meshkujt dhe femrat janë njësoj, thjesht nuk ka pasur kurrë bij apo bija. Nuk e di përse duan të mendohet që meshkujt dhe femrat janë njësoj. Ka plot gjëra që i kemi njësoj, por ka plot të tjera që nuk i kemi -- që nuk i kemi njësoj.
Jemi -- me fjalët e Ted Hughes-it, Mendoj se jemi krijuar që të jemi -- të jemi si dy këmbët. Kemi nevojë për njëri-tjetrin që të shkojmë përpara." Por nuk evoluuam për të pasur të njëjtin tru. Dhe po gjejmë gjithnjë e më tepër dallime gjinore në tru. Do të përdor vetëm ca dhe mandej do të hidhem te seksi dhe dashuria. Një prej tyre është aftësia verbale e femrave. Femrat munden të bisedojnë.
Aftësia e femrave për të gjetur shpejt fjalën e duhur, artikulim i thjeshtë shtohet në mes të ciklit menstrual, kur kulmon niveli i estrogjenit. Por edhe gjatë menstruacionit, ato janë më të afta se mashkulli mesatar. Femrat munden të flasin. Këtë e kanë bërë gjatë miliona vitesh; fjalët qenë mjetet e femrave. I mbanin foshnjat para fytyrës, për t'i përkëdhelur, për t'i qortuar, për t'i edukuar me anë të fjalës. Dhe kështu u bënë një forcë shumë e fuqishme.
Madje edhe në vende si India dhe Japonia, ku femrat nuk po kalojnë shpejt në tregun e rregullt të punës, po kalojnë në gazetari. Dhe mendoj se televizioni është si një lloj zjarri global kampimi. Ulemi përreth tij dhe na modelon mendjen. Thuajse përherë, kur jam në një TV, producenti që më thirri, që merret me se çfarë do të them, është një femër. Në fakt, Solzhenicini tha dikur, "Të kesh një shkrimtar të madh, është si të kesh një tjetër qeveri."
Sot në Amerikë 54 përqind e njerëzve që shkruajnë janë femra. Është një prej shumë karakteristikave që kanë gratë që do t'i kthejë ato në tregun e punës. Ato kanë aftësi të pabesueshme për t'u marrë me njerëzit, me negociata. Përfytyrimi i tyre është i fortë. E njohim tashmë qarkun trunor të përfytyrimit, planifikim afatgjatë. Priren të mendojnë në mënyrë rrjetësore. Ngaqë pjesët femërore të trurit janë të lidhura më mirë, ato priren të grumbullojnë më shumë pjesë të dhënash gjatë të menduarit, t'i vendosin ato në rregullsi më komplekse, të shohin më tepër mundësi dhe përfundime. Ato priren të jenë mendimtare kontekstuale, holistike, ajo çka i quaj mendimtare rrjetësore.
Meshkujt priren -- dhe kjo vlen për mesataren -- priren të heqin qafe atë çka e shohin si të tepërt, të përqendrohen në atë që kanë në dorë, dhe të ecin më tepër sipas një rregullsie të menduari hap pas hapi. Që të dyja janë mënyra të mira të menduari. Na duhen të dyja që të ecim përpara. Në fakt, në botë ka më tepër gjeni meshkuj. Kur -- dhe ka po ashtu plot idiotë meshkuj në botë. (Të qeshura) Kur truri i mashkullit punon mirë, punon tejet mirë. Dhe ajo që mendoj se po bëjmë në të vërtetë është se po shkojmë drejt një shoqërie bashkëpunuese, një shoqëri në të cilën talentet, si meshkuj, ashtu edhe femra, po kuptohen më mirë vlerësohen dhe punësohen më mirë.
Por në fakt, hedhja e femrave në tregun e punës po ka një ndikim të pamat te seksi, marrëdhëniet dashurore dhe jeta familjare. Mbi të gjitha, femrat po zënë ta shprehin seksualitetin e tyre. Gjithmonë habitem kur vijnë e më pyesin, "Pse tradhtojnë kaq shumë meshkujt?" Dhe u them, "Pse mendoni që ka më shumë meshkuj se femra që tradhtojnë?" "Eh, mirë -- meshkujt janë më shumë tradhtarë!" Dhe u them, "Me kë mendoni se ju tradhtojnë këta meshkujt?" Dhe -- hesap i thjeshtë! (Të qeshura)
Kështu pra. Në Perëndim, vajzat e reja fillojnë -- femrat e fillojnë seksin më herët, kanë më shumë partnerë, shprehin më pak keqardhje për partnerët, se sa këta për to, martohen më të mëdha, bëjnë më pak fëmijë, braktisin një martesë të dështuar për një të mbarë. Po shihet rritje e shprehjes seksuale femërore. Dhe, në fakt, edhe njëherë po shkojmë drejt asaj shprehje të seksualitetit që, me gjasa, do të shihnim në kullotat e Afrikës miliona vjetë më parë, ngaqë ky është lloji i shprehjes së seksualitetit që shohim sot në shoqëri me bazë gjuetinë dhe mbledhjen e frutave.
Po i kthehemi gjithashtu një forme të lashtë barazie martesore. Tani thuhet se shekulli i 21-të do të jetë shekulli i asaj që e quajnë "martesë simetrike," ose "martesë e kulluar," ose the "martesë shokësh." Kjo është një martesë mes të barabartësh, që shkon drejt një rregullsie që përputhet shumë me frymë e lashtë njerëzore.
Po shohim gjithashtu një ngritje të dashurisë romantike. 91 përqind e femrave dhe 86 përqind e meshkujve në Amerikë nuk do të martoheshin me dikë që ka gjithë cilësitë të cilat i kërkojnë në një partner, nëse nuk do ta dashuronin atë person. Njerëz anembanë botës, nga një studim me 37 shoqëri, duan të dashurojnë personin me të cilin martohen. Vërtet, martesat me shkuesi janë duke u lënë prapa këtij shtegu të jetës njerëzore.
Unë madje mendoj se martesat mund të bëhen edhe më të qëndrueshme për shkak të prirjes së dytë të fuqishme botërore. E para qe kalimi i femrave në tregun e punës, e dyta është mplakja e popullsisë botërore. Tani thonë që në Amerikë, mosha e mesme duhet parë si ajo deri në 85 vjeç. Ngaqë në këtë kategori të moshës më të madhe, 76 deri 85, vetëm -- deri 40 përqind e personave nuk gjejnë te ta asgjë që nuk shkon. Pra po vërejmë që ka një shtim real të moshës së mesme.
Dhe shqyrtova -- për një nga librat e mi, shqyrtova të dhëna divorcesh nga 85 shoqëri. Dhe nga sa del, sa më i madh në moshë, aq më pak gjasa të divorcoheni. Niveli i divorceve tani për tani në Amerikë është i qëndrueshëm, dhe po fillon të bjerë. Mund të bjerë edhe ca. Mund ta thosha këtë me Viagran, me ndërrim estrogjeni, ndërrim ijësh dhe me femrat kaq interesante sa nuk besohet -- femrat nuk kanë qenë kurrë më interesante se sa janë tani. Asnjëherë në këtë planet femrat nuk kanë qenë kaq të arsimuara, kaq interesante, kaq të afta. Dhe pra, sinqerisht, mendoj se nëse ka pasur vërtet një epokë në evolucionin njerëzor kur të kishim mundësinë të bëjmë martesa të mbara, kjo kohë është tani.
Sidoqoftë, përherë ka ndërlikime në kësi gjërash. Në këto tre sisteme të trurit: epsh, dashuri romantike dhe lidhje -- jo gjithmonë shkojnë tok. Mund të shkojnë tok, meqë ra fjala. Për këtë arsye seksi rastësor nuk është edhe aq i rastit. Orgazma ju jep një kulmim të dopaminës. Dopamina i përshoqërohet dashurisë romantike, dhe mund të bini në dashuri me dikë me të cilin thjesht bëtë seks rastësor. Me orgazmën mandej keni një vërshim të vërtetë oksitocine dhe vazopresine -- këto i përshoqërohen lidhjes me dikë. Prej saj ju vjen ndjesia e një bashkimi kozmik me dikë pasi keni bërë dashuri me të.
Por këto tre sisteme të trurit: epshi, dashuria romantike dhe lidhja, jo gjithmonë janë të lidhur me njëri-tjetrin. Mund të ndjeheni thellësisht i lidhur me një partner që e keni prej kohësh ndërkohë që ndjeni dashuri të fuqishme romantike për dikë tjetër, teksa ndjeni pasionin seksual për persona pa lidhje me këta partnerët më sipër. Shkurt, jemi të aftë të duam më shumë se një person në herë. Në fakt, mund të rrini shtrirë në shtrat natën dhe të hidheni nga ndjesitë e thella të lidhjes për një person në ndjesi të thella të dashurisë romantike për dikë tjetër. Pak a shumë sikur në kokën tuaj të bëhej mbledhje për të vendosur se çfarë të bëni. Pra nuk mendoj, sinqerisht, se jemi një kafshë e krijuar për të qenë e lumtur; jemi një kafshë që u krijua për t'u riprodhuar. Mendoj se lumturinë që gjejmë, e bëjmë vetë. Dhe mendoj që, sido qoftë, mund të ndërtojmë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.
Pra dua ta përfundoj me këto dy gjëra. Dua ta përfundoj me një shqetësim. Kam një shqetësim -- dhe një histori të mrekullueshme. Shqetësimi lidhet me antidepresantët. Në Shtetet e Bashkuara shkruhen mbi 100 milionë receta antidepresantësh në vit. Dhe këto barna po bëhen të rëndomta. Po përmbytin botën ngado. Njoh një vajzë që merr nga këta antidepresantë, shtim serotonine -- SSRI, antidepresantë për shtim serotonine -- që prej moshës 13 vjeç. Është 23 tani. I merr që kur qe 13 vjeçe.
Nuk kam asgjë me personat që i marrin për pak kohë, kur po kalojnë diçka vërtet të tmerrshme. Kur duan të bëjnë vetëvrasje ose do të donin të vrisnin dikë. Do t'ua këshilloja madje. Por në Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më tepër persona po i marrin për shumë kohë. Dhe vërtet, ajo çka bëjnë këto barna është rritja e nivelit të serotoninës. Dhe duke rritur nivelin e serotoninës, ju bllokoni qarkun e dopaminës. Kjo dihet nga të gjithë. Dopamina i përshoqërohet dashurisë romantike. Jo vetëm që bllokojnë qarkun e dopaminës, por vrasin edhe dëshirën për seks. Dhe po vratë dëshirën për seks, asgjësoni orgazmën. Dhe po asgjësuat orgazmën, asgjësoni atë rrëke kimike përshoqëruar lidhjes me dikë. Në tru gjërat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Dhe kur fusni hundët në një sistem të trurit, do të ngatërroni punë në një tjetër. Thjesht po them që një botë pa dashuri është një vend i vdekur.
Pra, kështu -- (Duartrokitje) -- faleminderit. Dua ta mbyll me një histori. E mandej, vetëm një koment. Për 30 vjetë jam marrë me studimin e dashurisë romantike, seksit dhe lidhjes. Jam binjake; më intereson të njoh pse jemi të gjithë të ngjashëm. Pse ju dhe unë jemi të ngjashëm, pse irakianët dhe japonezët dhe aborigjenët e Australisë dhe tributë e lumit të Amazonës janë të ngjashëm.
Dhe rreth një vit më parë, një shërbim Interneti takimesh, Match.com, erdhi dhe më pyeti nëse mund të konceptoja për ta një site të ri shërbimi takimesh. U thashë, "Nuk di asgjë rreth personalitetit. Apo nuk e dini? Nuk di asgjë. Mendoni se jam personi i duhur?" Më thanë, "Po." Kjo më bëri të mendohem rreth faktit se pse biem në dashuri me një person dhe jo me dikë tjetër.
Ky është projekti im i tanishëm; që do të jetë libri im i ardhshëm. Ka një qerre me arsye pse bini në dashuri me dikë dhe jo me një tjetër. Ora biologjike ka rëndësi. Ka rëndësi afërsia. Misteri ka rëndësi. Bini në dashur me dikë që në një farë mënyre është misterioz, pjesërisht ngaqë misteri e rrit nivelin e dopaminës në tru, dhe, me gjasa, ju shtyn tej pragut të rënies në dashuri. Bini në dashuri me dikë që bie brenda asaj që e quaj "harta juaj e dashurisë," një listë tiparesh që krijohet gjatë fëmijërisë në rritje e sipër, dhe për të cilën jeni të pandërgjegjshëm. Dhe mendoj gjithashtu që përfundoni në -- vini qark disa personash, në fakt, me sisteme truri njëfarësoj komplementare. Dhe këtu po kontribuoj tani.
Por desha t'ju tregoj një histori -- për ilustrim. U mora këtu me biologjinë e dashurisë. Doja t'ju tregoja pakëz edhe për kulturën e saj -- magjinë e saj. Është një rast që ma ka treguar dikush që e dëgjoi prej dikujt tjetër -- ka gjasa të jetë e vërtetë. Bëhet fjalë për një student -- unë dhe dy kolegët e mi jemi në Rutgers -- Art Aron punon në SUNY Stony Brook. Kjo këtu është makina ku skanojmë personat në MRI.
Dhe ky student qe marrisht i dashuruar me një tjetër studente, që nuk qe e dashuruar me të. Dhe të dy qenë në një konferencë në Pekin. Dhe ky e dinte nga punimet tona që po se se bëni diçka vërtet të re me dikë, mund ta rrisni nivelin e dopaminës në tru. Dhe ndoshta ta vini në punë sistemin trunor të dashurisë romantike. (Të qeshura) Kështu që vendosi ta vinte shkencën në funksionim, dhe e ftoi atë vajzë për një xhiro me shtyje-hiqe.
Dhe merret me mend -- unë nuk kam hipur ndonjëherë, por kuptohet që gjarpëruan mes autobusëve dhe kamionëve mes zhurmës dhe rrëmujës, të ngazëllyer. Dhe miku mendonte që kjo do t'ia shtonte dopaminën, dhe zoga do të binte në dashuri me të. Dhe ja ku filluan, ajo duke gërthitur dhe duke e shtrënguar pas vetes mes të qeshurash, duke u dëfryer sa mundej. Pas një ore zbritën prej shtyje-hiqes, dhe ajo me duart përpjetë i thotë, "A s'qe e mrekullueshme?" Dhe, "A nuk qe i pashëm ai i djali i shtyje-hiqes?!" (Të qeshura) (Duartrokitje)
Dashuria ka brenda magji! Por do ta mbyll duke thënë që miliona vjetë më parë, evolucioni na pajisi me tre shtysa themelore: shtysa për seks, dashuria romantike dhe lidhja me një partner për shumë kohë. Këto qarqe janë të ngulitura thellë në trurin njerëzor. Do të mbijetojnë për sa kohë specia jonë mbijeton në atë që Shekspiri e quajti "kjo pështjellë e mortme." Faleminderit. (Duartrokitje)
You can share this video by copying this HTML to your clipboard and pasting into your blog or web page. This video will play with subtitles.
You either have JavaScript turned off or have an old version of the Adobe Flash Player. To view this rating widget you
need to get the latest Flash player.
If your browser allows only "trusted sites" to execute Javascript, you should add the "googleapis.com" domain to your whitelist to allow our Flash detection to work properly.
Got an idea, question, or debate inspired by this talk? Start a TED Conversation.
Antropologia Helen Fisher trajton një temë me kleçka -- dashurinë –- dhe shpjegon evolucionin e saj, bazat biokimike dhe rëndësinë shoqërore të saj. E mbyll me një sinjalizim rreth mundësisë potenciale shkatërruese që abuzimi me antidepresantët mban brenda.
Anthropologist Helen Fisher studies gender differences and the evolution of human emotions. She's best known as an expert on romantic love, and her beautifully penned books -- including Anatomy of Love and Why We Love -- lay bare the mysteries of our most treasured emotion. Full bio »
Translated into Albanian by Besnik Bleta
Reviewed by Dita Bytyci
Comments? Please email the translators above.
13:45 Posted: Sep 2008
Views 527,384 | Comments 89
19:08 Posted: Jan 2008
Views 785,238 | Comments 166
06:18 Posted: Apr 2007
Views 307,763 | Comments 69
Just follow the guidelines outlined under our Creative Commons license.
This comment will be attributed to . Not ? Sign Out.