Unë dhe kolegët e mi Art Aron, Lucy Brown dhe të tjerë, shqyrtuam përmes një skaneri truri MRI 37 persona të dashuruar marrëzisht. 17 që e jetonin të lumtur dashurinë, 15 që sapo i kishin lënë, dhe jemi bash në fillimin e eksperimentit tonë të tretë: studimin e personave që thonë se janë ende të dashuruar pas 10 deri 25 vjetë martese. Kjo është me pak fjalë përmbajtja e atij kërkimi.
Në xhunglat e Guatemalës, në Tikal, gjendet një tempull. E pat ndërtuar më i madhi i mbretërve Diej, i qytet-shtetit më të madh, të më të madhit prej qytetërimeve të Amerikave, të Majave. Emrin e kish Jasaw Chan K'awiil. Qe mbi 1,8m i gjatë. I kapi të 80-at, dhe u varros nën këtë monument më 720 p.e.s. Dhe mbishkrimi Maja thotë që qe fort i dashuruar me të shoqen. Ndaj, ndërtoi këtë tempull për nder të saj, përballë të vetit. Dhe çdo pranverë dhe vjeshtë, gjatë ekuinoksit, Dielli lartohet pas tempullit të tij, dhe e kredh përsosmërisht tempullin e saj në hijen e të vetit. Dhe kur Dielli pasdite perëndon pas tempullit të saj, e kredh përsosmërisht tempullin e tij në hijen e të vetit. Pas 1300 vjetësh, këta dy të dashuruar ende preken dhe puthen prej varreve të tyre.
Anembanë botës njerëzit dashurojnë. I këndojnë dashurisë, vallëzojnë për dashurinë, shkruajnë poema dhe romane mbi dashurinë. Tregojnë mite dhe legjenda rreth dashurisë. Vuajnë për dashurinë, rrojnë për dashurinë, vrasin për dashurinë, dhe vdesin për dashurinë. Siç e thosh Uollt Uitmani njëherë e një kohë, që tha,"Oh, i gatshëm të humb gjithçka për ty." Antropologët kanë gjetur tregues të dashurisë romantike në 170 shoqëri. Nuk kanë gjetur as edhe një shoqëri pa të.
Por dashuria jo gjithmonë është përvojë e lumtur. Gjatë një studimi me studentë universiteti, m'u bënë mjaft pyetje rreth dashurisë, por ato dy më të veçantat për mua qenë, "A ju ka refuzuar dikush që e dashuronit vërtet?" Dhe pyetja e dytë qe, "A keni lënë ndonjëherë dikë që ju dashuronte vërtet?" Dhe gati 95% e meshkujve dhe femrave u përgjigjën "po" për të dyja. Thuajse askush nuk del gjallë nga dashuria.
Pra, para se të nis e t'ju tregoj rreth trurit, dua t'ju lexoj atë që mendoj se është poema më e fuqishme në botë për dashurinë. Ka poema të tjera dashurie që janë, padyshim, po aq të mira, por nuk mendoj se mund t'ia kalojnë kësaj. Një indian Kuakutl i paemër, nga Alaska jugore, ia pat recituar një misionari më 1896, dhe ja ku e kemi. Nuk kam patur rast ta them më parë. "Zjarri ma përshkon trupin me dhimbjet e dashurisë për ty, dhimbja ma përshkon trupin me zjarrin e dashurisë për ty. Dhimbje e përvëluar, gati të pëlcasë me dashurinë time për ty, bërë hi nga zjarri me dashurinë time për ty, Më kujtohet ç'më pate thënë. Më vjen në mendje dashuria jote për mua, Jam bërë copash nga dashuria jote për mua. Dhimbje dhe prapë dhimbje, ku vete me dashurinë time?? Më thanë se do të ikësh prej këtej. Më thonë se do të më lësh këtu. Trupi m'u mpi nga pezmi. Mos harro ç'të thashë, e dashur. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë..." Emili Dikinson shkroi dikur, "Ndarja është boll për të njohur ferrin." Sa vetë e kanë vuajtur në krejt miliona vitet e evolucionit njerëzor? Sa njerëz anembanë botës janë në krahët e ngazëllimit në këtë minutë? Dashuria romantike është një nga ndjesitë më të fuqishme në Tokë.
Ndaj, ca vite të shkuar, vendosa t'i hedh një sy trurit dhe të studioj këtë çmenduri. Studimi ynë i parë i personave që qenë të dashuruar e të lumtur është bërë i ditur gjerësisht, ndaj do ta prek shumë pak. Vumë re veprimtari në një punishte të vogël afër bazës së trurit e quajtur zona barkushe tegmentale. Vumë re veprimtari në disa qeliza të quajtura qeliza A10. Qeliza që prodhojnë dopaminë, një stimulant natyral, dhe e spërkasin në mjaft zona të trurit. Në fakt kjo pjesë, ZBT-ja, është pjesë e sistemit shpërblyes të trurit. Është mjaft poshtë procesit të të menduarit konjitiv. Gjendet nën emocionet tona. Është pjesë e asaj që e quajmë bërthama zvarranike e trurit, e që i përshoqërohet dashjes, motivimit, fokusimit te dikush dhe lakmisë. Në fakt, e njëjta zonë e trurit ku vumë re veprimtari aktivizohet po ashtu kur ndjeni gulçet e kokainës.
Por dashuria romantike është shumë më tepër se ekstaza nga kokaina -- nga kokaina, të paktën ktheheni përsëri me këmbë në tokë. Dashuria romantike është një fiksim. Ju ka në dorë. Humbni ndjesinë e vetes. Nuk reshtni dot së menduari për një tjetër qenie njerëzore. Dikush ka ngritur çadrat në kokën tuaj. Siç e thosh një poet japonez i shekullit të tetë, "Përvlimit tim s'i mbet më kohë kur pushoi." Marria është dashuri. Dhe fiksimi mund të përkeqësohet kur ju refuzojnë.
E kështu, Lucy Brown dhe unë, neuroshkencëtarja në projektin tonë, po kqyrim tani të dhëna nga personat që i kaluam në skaner fill e pasi i kishin lënë. Qe shumë e vështirë në fakt, t'i kaloje këta njerëz në skaner, ngaqë qenë kaq të dërrmuar. (Të qeshura) Pra, vumë re veprimtari në tri zona të trurit. Vumë re veprimtari në zonën e trurit, pikërisht në të njëjtën zonë të trurit që i përshoqërohet dashurisë së fuqishme romantike. Ç'ters! Siç e dini, kur ju lënë, ajo çka doni të bëni është thjesht ta harroni atë qenie njerëzore, dhe të vazhdoni jetën tuaj, por ja që jo, thjesht i dashuroni edhe më fort. Siç e thosh poeti romak Terenc, një herë e një kohë, "Më e pakët shpresa, më e zjarrtë dashuria." Dhe vërtet, tani e dimë pse. 2000 vjetë më vonë, këtë mund ta shpjegojmë te truri. Ai sistem i trurit, sistemi shpërblyes për dashjen, për motivimin, për lakminë, për fokusimin, bëhet më aktiv kur nuk arrini dot atë që doni. Në rastin tonë, çmimin më të madh të jetës: një partner të përshtatshëm për çiftim.
Pamë gjithashtu veprimtari në zona të tjera të trurit -- në një zonë të trurit përshoqëruar me llogaritjen e përfitimit dhe humbjeve. Ju kanë shtrirë këtu, po shihni një foto, dhe gjendeni brenda kësaj makine, dhe po bëni hesap se ç'shkoi ters. Si, e qysh, e çfarë humba? Meqë ra fjala, unë dhe Lucy kemi një anekdotë të vockël për këtë. Që vjen nga një dramë e David Mamet-it, drama ka dy mashtrues, dhe gruaja po mashtron burrin, dhe burri vështron gruan dhe i thotë, "Oh, je kalë i ngordhur, nuk vë bast për ty." Dhe vërtet, është kjo pjesë e trurit, zemra e nucleus accumbens, që bëhet aktive kur vini në kandar qarin dhe zararin. Kjo është po ashtu zona e trurit që bëhet aktive kur jeni gati të merrni përsipër rreziqe të mëdha për qare dhe zarare të mëdhenj.
E fundit, por jo për nga rëndësia, pamë veprimtari në një zonë të trurit përshoqëruar lidhjes së thellë me një individ tjetër. S'është çudi pra që njerëzit anembanë botës vuajnë dhe që kemi kaq shumë krime pasioni. Kur ju kanë refuzuar dashurinë, jo vetëm që jeni i përmbytur nga ndjenja dashurie romantike, por përjetoni edhe një përkushtim të thellë ndaj këtij personi. Për më tepër, ky qark mendor shpërblyes është në punë, dhe ndjeni energji të thellë, fokusim të thellë mbi dikë, motivim të fuqishëm dhe gatishmëri të rrezikoni gjithçka për të fituar çmimin më të madh të jetës.
Pra, ç'kam mësuar prej këtij eksperimenti e që do të doja t'ia tregoja botës? Mbi të gjitha, kam arritur në mendimin se dashuria romantike është një shtysë, një shtysë bazë e çiftimit. Jo instinkti seksual -- instinkti seksual ju shpie drejt kërkimit të një game të tërë partnerësh. Dashuria romantike bën të mundur të fokusoni energjinë e çiftimit mbi një në herë, ta ruani energjinë e çiftimit, dhe ta filloni procesin e çiftimit me këtë individ të dhënë. Kur sjell në mendje krejt poezinë që kam lexuar rreth dashurisë romantike, ajo që e përmbledh më mirë është diçka e thënë nga Platoni këtu e 2000 vjetë të shkuara. Ai thosh, "Perëndia e dashurisë rron në gjendje nevoje. Është nevojë. Është shtysë. Është një çekuilibër ngjashmërigjendjeje. Ashtu si uria dhe etja, është thuajse e pamundur ta heqësh qafe." Kam filluar gjithashtu të besoj se dashuria romantike është një varësi: varësi përsosmërisht e mrekullueshme kur ecën mirë, dhe varësi përsosmërisht e tmerrshme kur shkon keq.
Dhe vërtet, i ka të tëra karakteristikat e një varësie. Fokusoheni te personi, mendoni për ta i fiksuar, vuani nga mungesa e tyre, realiteti ju shtrembërohet, jeni i gatshëm t'u hyni rreziqeve të mëdha për ta fituar atë person. Dhe i ka të tria karakteristikat kryesore të varësisë. Tolerancën --keni nevojë t'i shihni më tepër, dhe më tepër, dhe akoma më tepër -- tërheqjen, dhe së fundi, rikthimin. Kam një shoqe që sapo ka filluar të kapërcejë një histori të tmerrshme dashurie, po bëhen nja tetë muaj, sapo ka filluar të ndihet më mirë. Dhe para ca ditësh po ngiste makinën, dhe ja ku papritmas dëgjoi në radio një këngë që i kujtoi atë burrë. Dhe jo vetëm dëshira e zjarrtë u kthye në çast, por iu desh të hapte krahun në anë të rrugës dhe të përlotej. Pra, gjëja që do të doja të përpiqej ta kuptonte, komuniteti mjekësor, komuniteti ligjor, madje edhe ai universitar, për të parë nëse do të mundeshin ta kuptonin, që në fakt, është një nga substancat më varësore në botë.
Do të doja gjithashtu t'i tregoja botës që kafshët dashurojnë. Nuk ka në këtë planet kafshë që do të çiftoheshin me çfarëdo që u kalon nën hundë. Shumë plak, shumë e re, shumë leckaman, shumë gdhë, dhe ja ku nuk bëhet gjë. Veç në qofshi i gozhduar në një kafaz laboratori -- pra, nëse e shkoni tërë jetën tuaj në një kuti të vockël, nuk keni për të qenë aq nazeli se me kë do të bëni seks -- por kam parë te njëqind specie, dhe kudo në natyrë, që kafshët kanë të parapëlqyer. Në të vërtetë, etologjia e njeh këtë. Ka mbi tetë fjalë me të cilat emërtohet parapëlqimi te kafshët: proceptivitet përzgjedhës, zgjedhje partneri, zgjedhje femërore, zgjedhje seksuale. Dhe në fakt, ka tre artikuj akademikë të cilët merren me këtë tërheqje, e cila mund të zgjasë vetëm një sekondë, por që është një tërheqje e përcaktuar, dhe aktivizohet ose e njëjta zonë e trurit, ajo e sistemit shpërblyes, ose substancat kimike të këtij sistemi shpërblyes. Në fakt, mendoj se tërheqja te kafshët mund të jetë e menjëhershme -- mund të shihni një elefant t'i vihet në çast një elefanti tjetër. Dhe mendoj se kjo është vërtet origjina e asaj që ju dhe unë e quajmë, "dashni me shikim të parë."
Shpesh njerëzit më kanë pyetur nëse ajo që di mbi dashurinë ma ka zvetënuar atë. Dhe thjesht them: zor se. Mund të njihni çdo përbërës në një ëmbëlsirë, dhe mandej kur uleni dhe shijoni copën tuaj, prapë nuk e humbni shijen e saj. Sigurisht që edhe unë bëj të njëjtat gabime që bën gjithkush tjetër, por të kuptuarit prej meje, dhe dhembshuria, po, për krejt jetën njerëzore thellohet vërtet. Në të vërtetë, shpesh e kap veten në Nju Jork duke vështruar karrocat e bebeve dhe më vjen pak keq për kolopuçin, dhe në fakt ndonjëherë më vjen pak keq për pulën që më vënë para në pjatë, kur mendoj se sa i fuqishëm është ky sistem i trurit. Eksperimenti ynë më i ri u konceptua nga kolegu im, Art Aron, dhe merret me skanimin në MRI të personave me lidhje afatgjata, që kanë pohuar se janë ende të dashuruar. Deri tani kemi skanuar pesë persona, dhe vërtet, gjetëm saktësisht të njëjtën gjë. Ata nuk gënjejnë. Zonat e trurit përshoqëruar dashurisë romantike të fuqishme, ende bëhen aktive, 25 vjetë më vonë.
Ka ende plot pyetje që duhen bërë dhe që presin përgjigje. Pyetja me të cilën po merrem edhe tani, dhe që do ta them këtu para se ta mbyll, është se pse bini në dashuri me një person të dhënë, dhe jo me një tjetër? Nuk do të më kish shkuar kurrë mendja as ta mendoja këtë, por Match.com, site-i internet për lidhje, më kontaktoi para tre vjetësh dhe më bëri këtë pyetje. Dhe u thashë se nuk e dija. Di se ç'ngjet në tru, kur dashuroheni, por nuk e di pse bini në dashuri me dikë në vend se me një tjetër. E kështu, jam marrë me këtë tre vitet e fundit. Dhe ka mjaft arsye pse bini në dashuri me një person në vend të një tjetri, të cilat mund t'ua thonë psikologët. Priremi të biem në dashuri me dikë nga i njëjti sfond socioekonomik, me të njëjtën shkallë inteligjence të përgjithshme, me të njëjtën shkallë të të qenit të pashëm në përgjithësi, me të njëjtat vlera fetare. Fëmijëria juaj sigurisht që luan një rol, por askush nuk e di se si. Dhe kaq është, kjo është krejt ajo që dihet. Jo, nuk e kanë gjetur dot mënyrën se si dy personalitete i përkojnë njëri-tjetrit për të dhënë një marrëdhënie të qëlluar.
Ndaj, fillova të mendoj se ndoshta ju shtyn biologjia drejt dikujt e jo drejt një tjetri. Dhe kam sajuar një pyetësor për të parë se në ç'shkallë e shprehni dopaminën, serotoninën, estrogenin dhe testosteronin. Mendoj se kemi evoluar në katër lloje shumë të përgjithshme personaliteti respektivisht sipas shkallës së këtyre katër substancave në tru. Te ky site lidhjesh që kam krijuar, i quajtur Chemistry.com. ju bëj fillimisht një varg pyetjesh për të parë se në çfarë shkalle e shprehni praninë e këtyre substancave, dhe vëzhgoj se kush dhe çfarë zgjedh për të dashuruar. Pyetjeve u janë përgjigjur 3.7 milion vetë në Amerikë, dhe rreth 600 mijë persona në 33 vende të tjera. Të dhënat jam duke i përpunuar, dhe në një farë pike -- do të ketë përherë diçka magjike te dashuria, por mendoj se do t'i afrohem edhe më të kuptuarit se pse mund të hyni në një sallë dhe cilido është prej të njëjtit sfond me ju, me të njëjtën shkallë inteligjence të përgjithshme, përgjithësisht me të njëjtën shkallë hiresh, dhe nuk ju tërheq asnjë prej tyre. Mendoj se kjo ka brenda biologji. Mendoj se do të arrijmë brenda pak vitesh të kuptojmë krejt llojet e mekanizmave të trurit që na hedhin drejt një personi e jo drejt një tjetri.
Kështu pra, këtu po e mbyll. Këta janë të moshuarit e mi. Folkneri thosh dikur, "E shkuara nuk ka vdekur, dhe as që është e shkuar." Vërtet, në trurin njerëzor bartim plot hejbe nga e kaluara jonë. Dhe ka diçka që më bën ta vazhdoj njohjen e natyrës njerëzore, dhe kjo ma risjell në mendje. Këtu kemi dy femra. Femrat priren ndryshe nga meshkujt drejt intimitetit. Gratë intimitetin e provojnë përmes bisedës kokë më kokë. Kthehemi drejt njëra tjetrës, bëjmë atë që e quajmë "ngulitje shikimi ankorues" dhe llafosemi. Ky është intimiteti për femrat. Mendoj se rrjedh nga miliona vitet e mbajtjes së bebes para fytyrës sonë, përkëdheljes së saj, qortimit të saj, mësimit të saj me fjalë. Meshkujt priren drejt intimitetit krah për krah, (Të qeshura) Sapo dikush të ngulë sytë, tjetri do t'i hedhë sytë gjetkë. (Të qeshura) Mendoj se rrjedh nga miliona vitet e fshjehjes pas shkurreve, me sytë ngulur, duke u përpjekur të rrokin me gur demin drejt e në kokë. (Të qeshura) E çoj mendjen te milionat e viteve që meshkujt përballeshin me armiqtë e tyre, ngulur krah për krah me shokët. Pra, pohimi im përfundimtar është: dashuria gjendet brenda nesh. Është e rrënjosur thellë në tru. Sfida për ne është të kuptojmë njëri-tjetrin. Faleminderit. (Duartrokitje)
You can share this video by copying this HTML to your clipboard and pasting into your blog or web page. This video will play with subtitles.
You either have JavaScript turned off or have an old version of the Adobe Flash Player. To view this rating widget you
need to get the latest Flash player.
If your browser allows only "trusted sites" to execute Javascript, you should add the "googleapis.com" domain to your whitelist to allow our Flash detection to work properly.
Got an idea, question, or debate inspired by this talk? Start a TED Conversation.
Pse kemi kaq shumë nevojë për dashuri, deri sa edhe jemi gati të vdesim për hir të saj? Për të ditur më tepër rreth nevojës sonë shumë reale, shumë fiziologjike, për dashuri romantike, Helen Fisher dhe ekipi i saj kërkimor skanuan në MRI trurin e personave të dashuruar -- dhe të personave që sapo dikush i ka lënë.
Anthropologist Helen Fisher studies gender differences and the evolution of human emotions. She's best known as an expert on romantic love, and her beautifully penned books -- including Anatomy of Love and Why We Love -- lay bare the mysteries of our most treasured emotion. Full bio »
Translated into Albanian by Besnik Bleta
Reviewed by Alda Mazreku
Comments? Please email the translators above.
23:27 Posted: Sep 2006
Views 2,733,083 | Comments 394
21:16 Posted: Sep 2006
Views 5,110,606 | Comments 717
17:36 Posted: Aug 2007
Views 307,094 | Comments 67
Just follow the guidelines outlined under our Creative Commons license.
This comment will be attributed to . Not ? Sign Out.