Do t'ju bëj një udhëtim shumë të shpejtë. Për t'ju shpjeguar dëshirën, më duhet t'ju dërgoj diku ku shumë njerëz nuk kanë qenë, pra rreth e përqark botës. Kur isha 24 vjeç, bashkë me Kate Store ndërmorëm një nismë për të përfshirë arkitektët e dizenjuesit në punë humanitare. Jo vetëm për t'iu përgjigjur fatkeqësive natyrore, por për t'i përfshirë në probleme sistemike. Besuam se atje ku burimet dhe përvoja janë të pakta, projekte novatore dhe të qëndrueshme munden vërtet të ndryshojnë jetën e njerëzve.
Po njësoj nisa jetën time si arkitekt, ose edukimin si arkitekt; isha përherë i interesuar për projektim të përgjegjshëm shoqëror, dhe se si mund vërtet të ndikosh. Por kur hyra në shkollën e arkitekturës, dukej sikur isha delja e zezë e kopesë. Dukej se shumë arkitektë mendonin se kur projektoni, projektoni një gur të çmuar, një gur i çmuar për të cilin përpiqeni dhe vuani. Ndërsa ndjesia ime qe se kur projektoni, ose e përmirësoni, ose e dëmtoni bashkësinë për të cilën po projektoni. Pra, nuk bëni vetëm një ndërtesë për banorët ose njerëzit që do ta përdorin atë, por për gjithë bashkësinë në tërësi.
Në 1999, ia nisëm duke ju përgjigjur krizës së banesave për refugjatët që ktheheshin në Kosovë dhe nuk e dija se ç'po bëja; siç e thashë, 20 e ca vjeç, dhe unë jam brezi i Internetit, kështu që ngritëm një faqe interneti. Atje vendosëm një thirrje dhe brenda disa muajve, për çudinë time, patëm qindra pjesëmarrje nga e gjithë bota. Kjo çoi në ndërtimin e disa prototipeve dhe faktikisht eksperimentimin me disa ide. Dy vjet më vonë nisëm një projekt për zhvillim klinikash shëndetësore të lëvizshme në Afrikën Nën-Sahariane, si përgjigje ndaj pandemisë së HIV/AIDS. Patëm 550 pjesëmarrje prej 53 vendesh. Gjithashtu morën pjesë dizenjues nga e gjithë bota, dhe në fund u organizua një ekspozitë e punëve. Viti 2004 qe vendimtar për ne. Filluam t'u përgjigjeshim fatkeqësive natyrore dhe u përfshimë në Bam të Iranit, njëkohësisht duke vazhduar punën tonë në Afrikë.
Sa për punën brenda Shteteve të Bashkuara, shumica e njerëzve hedhin sytë nga varfëria dhe shohin fytyrën e një të huaji, por shkoni jetoni -- unë jetoj në Bozeman, Montana -- shkoni lart në rezervatet e pllajave të veriut, ose shkoni poshtë në Alabama, ose në Misisipin para Katrinës dhe mund t'ju tregoja vende me kushte shumë më të këqija se mjaft vende në zhvillim ku kam qenë unë. Kështu u përfshimë dhe punuam në qytete në brendësi të vendit dhe gjetkë.
Më pas do kaloj në disa nga këto projekte. Në 2005 Mëma Natyrë na ra me shqelm bythëve. Mendoj se mund ta pranojmë se 2005 qe një vit i tmerrshëm përsa i përket fatkeqësive natyrore. Dhe në sajë të Internetit, të lidhjeve me blogjet, e të tjera, vërtet brenda disa orësh prej cunamit, ishim tashmë duke mbledhur fonde, duke u përfshirë e punuar me njerëz në terren. Gjatë disa ditëve të para ne punonim me disa laptopë, më erdhën 4,000 e-posta nga njerëz në nevojë. Kështu filluam të përfshihemi në projekte atje, dhe do të flas për disa prej tyre. E sigurisht, këtë vit i jemi përgjigjur Katrinës, ndërkohë që kemi vazhduar punë tonë të rikonstruksionit.
Kjo ishte pra, një përmbledhje e shkurtër. Në 2004, unë vërtet nuk mundesha t'ia dilja mbanë numrit të madh të njerëzve që kërkonin ndihmë, ose numrit të kërkesave që merrja. Gjithçka më vinte në laptop dhe celular. Ndaj vendosëm të zgjidhnim modelin e ndërmarrjes me burim të hapur -- që çdokush, kudo në botë, mund të nisë një degë vendore, dhe të mund të përfshihet në probleme vendore. Sepse unë mendoj se Utopia nuk ekziston. Gjithë problemet janë vendore. Gjithë zgjidhjet janë vendore. Pra, kjo do të thotë, e dini, dikush prej Misisipi di më shumë për Misisipin se sa di unë. Pra çka ndodhi, përdorëm MeetUp dhe gjithë këto lloj mjetesh Interneti, dhe në fund filluan punën 40 degë, mijëra arkitektë në 104 vende. Pra pika më e rëndësishme -- më falni, nuk vesh kurrë kostum, dhe e dija që do ta hiqja këtë. Mirë, sepse do ta bëj shumë shpejt.
Pra në shtatë vitet e kaluara -- kjo nuk është vetëm për vullnetarizmin. Çka më tregoi se po zhillohet lëvizje masovike e dizenjuesve shoqërisht të përgjegjshëm që besojnë se kjo botë është zvogëluar shumë, dhe se kemi rastin -- jo përgjegjësinë, por rastin -- të përfshihemi me të vërtetë në bërjen e ndryshimit.
Po ia shtoj këtë kohës time. Pra ajo që nuk dini është se arritëm t'i lidhnim këta mijëra projektues që punojnë nëpër botë thjesht përmes një faqe interneti, dhe jemi vetëm tre vetë - duke bërë diçka, meqë askush nuk na tha se s'mund ta bënim, ne e bëmë. Këtu duhet thënë diçka për naivitetin. Shtatë vjetë më vonë jemi zhvilluar aq sa të jemi mbrojtës, nxitës dhe zbatues. Ne luftojmë për projektim të mirë, jo vetëm përmes atelieve me studentët, leksioneve e forumeve publike, artikujve; kemi një libër mbi punën humanitare; por edhe me lehtësimin e fatkeqësive dhe marrjen me politikat publike. Mund të flasim rreth FEMA-s (Agjencia Federale e Administrimit të Emergjencave), por kjo është temë tjetër. Nxitje, duke zhvilluar ide me bashkësitë dhe OJQ-të, duke hapur konkurse për projektim me burim të hapur. Duke iu referuar, përputhur me bashkësitë dhe pastaj duke zbatuar -- faktikisht duke shkuar atje e duke punuar, sepse kur shpik diçka, ajo kurrë nuk është e prekshme sa pa u ndërtuar. Pra është vërtet me rëndësi që nëse projektojmë dhe përpiqemi të sjellim ndryshim, ta ndërtojmë atë ndryshim.
Ja një numër projektesh të përzgjedhur. Kosovë. Kjo është Kosova në '99. Bëmë një konkurs projektimi të hapët, siç e thashë. Kjo na solli një shumëllojshmëri idesh, e që nuk ishte për strehim emergjent, por për strehim të përkohshëm i cili do zgjaste pesë deri dhjetë vjet, dhe do të vendosej pranë tokës ku jetonin banorët, ku ata do të rindërtonin shtëpinë e tyre. Nuk bëhej fjalë për imponim të një arkitekture mbi një bashkësi; u dhamë atyre mjetet dhe dhe hapësirën që do t'u lejonte të ringrinin e rriteshin si të donin vetë. Kemi nga madhështorët deri te qesharakët, por funksiononin. Kjo është një shtëpi-kamerdare prej kërpi. U ndërtua, funksionon. Ky është një kontejner transporti. I ndërtuar dhe funksional. E një shumëllojshmëri idesh që merreshin jo vetëm me ndërtimin arkitektonik, por dhe me çështjet e qeverisjes dhe mendimin për krijimin e bashkësive përmes rrjeteve të ndërlikuara.
Pra tërhoqëm jo vetëm dizenjues, por edhe një larmi profesionistësh nga fushat e teknologjisë. Të përdorësh mbeturina shtëpish të shkatërruara për ndërtimin e atyre të reja. Të përdorësh dëngje kashte për ngritje muresh izolues. Më vonë, gjatë '99 ndodhi diçka e veçantë.
Shkuam në Afrikë, në fillim për të kqyrur çështjen e banimit. Në tre ditë kuptuam se problemi nuk ishte tek banesat; ishte rritja e pandemisë së HIV/AIDS. E këtë nuk na e thoshin mjekët, por vetë fshatarët te të cilët rrinim. Dhe na erdhi ideja e ndritur që në vend që njerëzit të ecnin 10, 15 kilometra për te mjekët, të sillnim mjekët te njerëzit. Ia nisëm duke përfshirë bashkësinë e mjekëve. Mendoja, ne mendonim, se ishte me të vërtetë e ndritur, vezullonte -- patëm një ide madhështore, klinika shëndetësore lëvizëse të shpërndara gjithandej nëpër Afrikën Nën-Sahariane. Ndërsa bashkësia atje, mjekët, na thanë, "Kemi një dhjetëvjeçar që e themi këtë. E dinim. Thjesht nuk dinim si ta tregonim." Pra në një farë mënyre, morëm një nevojë ekzistente dhe dhamë zgjidhjen. Dhe përsëri patëm një larmi idesh që gufuan.
Këtë e pëlqej personalisht, për shkak të idesë që arkitektura nuk është vetëm për zgjidhje, por edhe për të ndërgjegjësuar. Kjo është një klinikë prej një lloj kërpi. Farat i mbillni dhe e rritni në një parcelë, dhe pastaj -- brenda muajit rritet 4,26 metra. Pas katër javësh, vijnë mjekët, kositin një pjesë, vendosin një strukturë të tendosur mbi të dhe kur doktorët mbarojnë trajtimin dhe vizitat e pacientëve e fshatarëve, klinikën mund ta presësh e ta hash. Pra, Ha Klinikën Tënde.
Pra ishte përballja me faktin që nëse ka HIV/AIDS, gjithashtu keni nevojë për nivele ushqimi, dhe ideja se ushqimi është po aq i rëndësishëm sa edhe dërgimi i kundër-retroviralëve atje. Pra kjo është një zgjidhe serioze. Kjo më pëlqen. Ideja është që nuk kemi thjesht një klinikë -- është një qendër bashkësie. Kjo kërkonte të ngrinte rrugë tregtare dhe shtysa ekonomike brenda bashkësisë, në mënyrë që të ishte një projekt i vetëqëndrueshëm.
Çdo projekt prej këtyre është i qëndrueshëm. Kjo jo ngaqë jam tip ambientalist që përqafoj pemët, por sepse kur jeton me katër dollarë në ditë, rron për mbijetesë dhe të duhet të jesh i qëndrueshëm. Duhet të dish nga të vjen energjia. Duhet të dish nga të vjen lënda e parë. Dhe lypset të bësh sa më pak mirëmbajtje. Kështu, kjo është për të pasur një motor ekonomik, dhe natën kthehet në një kinema. Pra nuk është një klinikë AIDS. Është një qendër bashkësie. Ju mund t'i shihni idetë, të cilat u zhvilluan si prototipe, dhe faktikisht u ndërtuan. Deri tani, klinikat po përhapen në Nigeri e Kenia.
Prej kësaj zhvilluam gjithashtu Siyathemba, një projekt -- njerëzit erdhën e thanë se problemi është që vajzat nuk kanë arsim. E ne po punonim në një zonë ku përhapja e HIV/AIDS në gratë e reja të moshave nga 16 në 24 vjeç është 50 përqind. Kjo jo sepse janë të shthurura, por sepse nuk kanë njohuri. Ndaj vendosëm të provonim idenë e sporteve e të krijonim një qendër sportive rinore që gjithashtu punonte si një qendër shërbimi për HIV/AIDS, ku trainerët e ekipeve të vajzave të ishin edhe doktorë të sprovuar. Kjo do të ishte një rrugë e ngadaltë për të ngritur besimin në kujdesin shëndetësor. Zgjodhëm nëntë finalistë, dhe këta nëntë finalistë u shpërndanë në gjithë zonën, ku mandej njerëzit zgjodhën projektin e tyre. Ata thanë, ky është projekti ynë, sepse është jo vetëm për përfshirjen e një bashkësie; por edhe për fuqizimin e saj dhe për ta bërë atë pjesë të procesit të rindërtimit.
Ky është projekti fitues, e sigurisht, ne shkojmë të punojmë me bashkësitë dhe klientët. Ja, ky është projektuesi duke punuar në terren me të parin ekip futbolli femrash në Kwa-Zulu Natal, Siyathemba, dhe më mirë e thonë ato vetë.
Video: Më quajnë Sisi, dhe punoj në qendrën afrikane. Jam konsulente dhe lojtare e ekipit kombëtar të Afrikës Jugore, Bafana Bafana, gjithashtu luaj në Lidhjen Vodacom për ekipin Tembisa, i cili tani u ndryshua në Siyathemba. Kjo është fusha jonë.
Cameron Sinclair: Do t'jua tregoj më vonë, sepse po më mbaron koha. Shoh se Chris po më vështron me dinakëri.
Kjo qe një lidhje, thjesht një takim me dikë që donte të zhvillonte të parën qendër telemjekësore në Afrikë, në Tanzani. U takuam disa muaj më parë. Tashmë kemi zhvilluar një dizajn, dhe ekipi është atje, duke punuar së bashku. Ky bashkim u mundësua falë një çifti nga TED: [e paqartë] Cheryl Heller dhe Andrew Zolli, të cilët më lidhën me këtë grua afrikane të mrekullueshme. Në qershor do të fillojmë ndërtimin dhe hapjen do ta bëjë TEDGlobal. Kështu që, kur të vini në TEDGlobal, mund ta shihni.
Megjithatë, ne më shumë ndoshta njihemi pse merremi me fatkeqësitë dhe zhvillimin, dhe jemi përfshirë në shumë çështje, si cunami, apo edhe gjëra si uragani Katrina. Ky është një strehim 370 dollarësh që mund të montohet lehtë. Kjo është një qendër bashkësie e projektuar prej bashkësisë. Kjo do të thotë që ne me të vërtetë rrojmë e punojmë me bashkësinë, dhe se ata janë pjesë e procesit të projektimit. Fëmijët marrin pjesë në përpilimin e hartave për vendndodhjen e qendrës së bashkësisë dhe më pas, bashkësia, përmes mësimit të aftësive, e ngre vërtet ndërtesën së bashku me ne.
Ja një shkollë tjetër. Kjo është çka OKB u dha këtyre djemve për gjashtë muaj -- 12 tenda plastike. Kështu ishte në gusht. Ky ishte zëvendësimi, dhe supozohet të durojë për dy vjet. Kur bie shi, nuk mundesh as të dëgjosh gjë, dhe në verë është rreth 60 gradë brenda. Ndaj thamë, po qe se bie shi, le të kemi ujë të freskët. Pra secila prej shkollave tona kanë sisteme për mbledhjen e ujit të shiut, me kosto shumë të ulët. Ca nxënës, tre klasa dhe mbledhja e ujit të shiut - 5000 dollarë. Paratë për këtë u mblodhën nga shitje kakaoje në Atlanta. U ndërtua nga prindërit e fëmijëve Fëmijët gjenden në kantier, duke ngritur ndërtesat. U hap nja dy javë më parë, dhe janë 600 fëmijë që i përdorin shkollat tashmë.
Pra, fatkeqësia godet vendin. Në CNN, FOX e të tjerë si këto shohim historitë e zymta, por nuk shohim historitë e bukura. Ja një bashkësi që u mblodh dhe i tha jo pritjes. Krijuan një ortakëri ndryshe mes lojtarësh që faktikisht të përpilonte hartën e Biloxi-t Lindor, për të kuptuar kush po përfshihej. Kemi patur mbi 1500 vullnetarë që rindërtonin e meremetonin shtëpitë, duke parë se ç'janë rregulloret e FEMA, pa pritur që ato t'u diktonin se si duhet të rindërtonin. Punonin me banorët, i nxirrnin ata prej shtëpive, që të mos sëmureshin. Kjo është çka ata pastronin vetëm për vetëm. Projektim shtëpish. Kjo shtëpi do të iki brenda disa javësh. Kjo është një shtëpi e meremetuar brenda katër ditësh. Kjo është një tualet për një grua me karrocë. Ajo është 70 vjeç, dhe kjo është çka i dha FEMA. 600 dollarë, ndodhi dy ditë më parë. Sajuam shumë shpejt një lavanteri. U ndërtua, funksionon dhe sot ajo sapo nisi një ndërmarrje, ku lan teshat e të tjerëve.
Këta janë Shandra dhe Calhoun-ët. Janë fotografë që kanë dokumentuar lagjen Lower Ninth gjatë 40 viteve të shkuar. Ajo ishte shtëpia e tyre, kurse këto janë fotografitë që kanë bërë. Po i ndihmojmë duke punuar me ta për të ngritur një ndërtesë të re. Projekte që i kemi bërë. Projekte ku kemi marrë pjesë, i kemi mbështetur. Pse nuk e bëjnë këtë agjensitë e ndihmave? Kjo është tenda e OKB-së. Kjo është tenda e re e OKB-së, e sapoprezantuar këtë vit. E shpejtë për t'u montuar. Ka një qepen, kjo ishte shpikja. U deshën 20 vjetë për ta dizenjuar dhe për ta vënë në punë në terren. Unë kam qenë 12 vjeç. Ka diçka që s'shkon këtu.
Për fat, nuk jemi vetëm. Ka me qindra e qindra e qindra e qindra e qindra arkitektë dhe dizenjues e shpikës në mbarë botën që po përfshihen në punë humanitare. Të tjera shtëpi kërpi -- me sa duket, në Japoni qenka modë. Nuk jam i sigurt se ç'tymosin. Kjo është një kapëse e dizenjuar prej dikujt që tha se gjithçka ju duhet, është një mënyrë për të fiksuar te trarët mbajtës strukturat membranore. Ky djalë dizenjonte për NASA-n, tani bën banesa. Këto do t'i kaloj shpejt e shpejt, sepse e di që kam vetëm ca minuta.
Pra, krejt kjo u bë në dy vitet e fundit. Ju tregova diçka që u deshën 20 vjetë për ta bërë. E kjo qe vetëm një përzgjedhje e çka u ndërtua në këta vitet e fundit. Nga Brazili në Indi, Meksikë, Alabama, Kinë, Izrael, Palestinë, Vietnam. Mosha mesatare e projektuesit që përfshihet në këtë projekt është 32 -- aq sa jam unë. Pra e re -- Më duhet të ndalem këtu, sepse në sallë kemi Arup dhe ky është tualeti më i mirë-projektuar në botë. Nëse rastisni ndonjëherë në Indi, shkoni e përdoreni.
Chris Luebkeman ka për t'ju thënë pse. Jam i sigurt se ashtu donte ta kalonte festën. E ardhmja nuk ka për të qenë qyteti qiellgërvishtës i Nju Jorkut, por kjo. E kur vështroni këtë, ju shihni krizë. Ndërsa unë shoh shumë e shumë shpikës. Një miliardë njerëz jetojnë në varfëri të plotë. Dëgjojmë për ta gjatë gjithë kohës. Katër miliardë jetojnë në ekonomi në zhvillim, por të brishta. Një në shtatë jeton në vendbanim të paplanifikuar. Nëse nuk bëjmë gjë për krizën e banimit që po afron, për 20 vjetë, një në tre njerëz ka për të jetuar në një vendbanim të paplanifikuar ose në një kamp refugjatësh. Shihni majtas e djathtas, një nga ju do të jetë atje. Si t'ua përmirësojmë kushtet e jetesës 5 miliardë njerëzve? Me 10 milionë zgjidhje.
Ndaj dëshiroj të ngre një bashkësi që përqafon vërtet projektimin novator dhe të qëndrueshëm që të përmirësojë kushtet e jetesës për të gjithë.
Chris Anderson: Prit pak. Prit. Kjo është dëshira jote?
CS: 'Arkitekturë për Njerëzimin' e nisëm me 700 dollarë dhe një faqe interneti. Nuk di se si Chris vendosi të më jepte 100000. Pra, pse jo kaq shumë njerëz? Arkitektura me burim të hapur është rruga që duhet zgjedhur. Keni një bashkësi pjesmarrësish të ndryshëm -- dhe nuk po flasim vetëm për shpikësit e projektuesit, por për modelin e financimit. Roli im nuk është ai i projektuesit; është ai i përçuesit mes botës së dizajnit dhe asaj humanitare. Çka na duhet është diçka që të më shumëfishojë mua botërisht, sepse kam shtatë vjetë që nuk fle.
E dyta, ç'do të jetë kjo gjë? Projektuesit duan t'ju përgjigjen çështjeve të krizave humanitare, por nuk duan që ndonjë kompani në Perëndim t'u marrë idenë e të nxjerrë fitime prej saj. Kështu, Creative Commons përgatiti licensën për vendet në zhvillim. Kjo do të thotë që një projektues mundet -- projekti Siyathemba që ju tregova ishte e para ndërtesë me një leje Creative Commons. Sapo të jetë ndërtuar, kushdo në Afrikë ose në një vend çfarëdo në zhvillim mund të marrë dokumentacionin ndërtimor dhe ta shumëfishojë falas.
Pra, pse të mos i lejojmë projektuesit ta bëjnë këtë, duke mbrojtur ndërkohë të drejtat e tyre këtu? Ne duam të kemi një bashkësi ku mund të hedhësh ide, dhe ku ato ide të mund të provohen në tërmete, përmbytje, në krejt llojet e mjediseve të ashpra. Arsyeja pse kjo është e rëndësishme është se nuk dua të pres për Katrinën tjetër për të parë nëse shtëpia ime funksionon. Ka për të qenë shumë vonë. Nevojitet ta bëjmë tani. Ta bëjmë këtë botërisht. Dhe dua që e gjithë kjo të funksionojë në shumë gjuhë. Kur vështroni portretin e një arkitekti, shumë njerëz mendojnë një burrë të bardhë e të thinjur. Unë nuk e shoh kështu. Shoh fytyrat e botës. Pra dua që kushdo prej mbarë planetit, të jetë në gjendje të marrë pjesë në këtë projekt dhe zhvillim. Ideja e konkurseve të bazuar mbi nevojat -- Çmimi X për 98 përqindëshin tjetër, po qe se doni ta quani kështu.
Gjithashtu duam të kërkojmë mënyra binjakëzimi e bashkimi të partnerëve financues. Ideja e përfshirjes së prodhuesve -- punishtet eksperimentale në çdo vend. Kur dëgjoj për laptop 100 dollarësh që ka për të edukuar çdo fëmijë -- të edukosh çdo projektues në botë. Çoni një në çdo favela, në çdo vendbanim periferik, sepse e dini çfarë, do të sjellë risi. Kam nevojë ta di këtë. I thonë kërcim mbrapsht. Flitet për teknologjitë kapërcyese. Unë shkruaj tek Worldchanging, dhe atje flasim për faktin se, në terren mësohet më tepër sesa mund të kesh mësuar ndonjëherë këtu. Pra le t'i marrim ato ide, t'i përshtasim dhe mund t'i përdorim. Këto ide mendohet të jenë të përshtatshme; duhet të kenë potencialin për ndryshim; duhet të zhvillohen nga çdo komb i botës dhe të jenë të përdorshme nga çdo komb i botës. Ç'do të duhet për këtë?
Duhet të jetë një fletë këtu. Nuk kam kohë ta lexoj këtë, sepse e di që do më zvarrisin që këtej.
CA: Lëre për një sekondë atje.
CS: Mirë, çfarë do të duhet? Ju djema jeni të zgjuar. Do të duhet shumë fuqi kompjuterike, për shkak të idesë që çdo laptop kudo në botë të mund të futet në sistem dhe të jetë në gjendje jo vetëm të marrë pjesë në zhvillimin e këtyre projekteve, por dhe t'i përdorë, po ashtu edhe t'i rishqyrtojë ato. Dua që çdo inxhinier i Arup nëpër botë të kqyrë e të sigurohet se ne bëjmë gjëra që qëndrojnë, sepse ata janë më të mirët në botë. Tani ndize.
E dini, dua që këta -- më duhet të nënvizoj, kam dy laptopë, njëri prej tyre është aty dhe ka brenda 3000 projekte. Ç'do të ndodhë po të më bjerë ky? Pra është e rëndësishme hedhja diku e këtyre ideve të provuara, lehtësisht të përdorshëm e të zgjidhshëm. Ime më më tha dikur se nuk ka gjë më të keqe se sa të jesh shumë e për lumë.
Më ka ardhur në majë të hundës nga llafet për ndryshim. Atë mund ta kryesh vetëm duke e bërë atë. Kemi ndryshuar udhëzimet e FEMA. Kemi ndryshuar politikat publike. Kemi ndryshuar reagimin ndërkombëtar -- të bazuar mbi ndërtimin e gjërave. Pra për mua është me rëndësi që të krijojmë me të vërtetë një përçues për risitë, e këto janë risi të lira. Mendoni për kulturën e lirë -- kjo është risi e lirë. Dikush e tha këtë disa vjet më parë. Do të jap pikë për ata që do ta gjejnë këtë. Mendoj se ndoshta ai ishte 25 vjet herët, pra le ta bëjmë këtë.
You can share this video by copying this HTML to your clipboard and pasting into your blog or web page. This video will play with subtitles.
You either have JavaScript turned off or have an old version of the Adobe Flash Player. To view this rating widget you
need to get the latest Flash player.
If your browser allows only "trusted sites" to execute Javascript, you should add the "googleapis.com" domain to your whitelist to allow our Flash detection to work properly.
Got an idea, question, or debate inspired by this talk? Start a TED Conversation.
Gjatë marrjes së Çmimit TED të 2006, Cameron Sinclair tregon se si projektues e arkitektë të flaktë mund t'i përgjigjen krizës botërore të banimit. Ai shpalos dëshirën e tij të Çmimit TED për një rrjet që të përmirësojë kushtet e jetesës mbarë botës përmes projektimit në bashkëpunim.
2006 TED Prize winner Cameron Sinclair is co-founder of Architecture for Humanity, a nonprofit that seeks architecture solutions to global crises -- and acts as a conduit between the design community and the world's humanitarian needs. Full bio »
Translated into Albanian by Indrit Bleta
Reviewed by Helena Bedalli
Comments? Please email the translators above.
15:06 Posted: Aug 2006
Views 436,606 | Comments 71
17:34 Posted: Apr 2007
Views 537,682 | Comments 94
14:03 Posted: Jan 2007
Views 294,921 | Comments 59
Just follow the guidelines outlined under our Creative Commons license.
This comment will be attributed to . Not ? Sign Out.